Sulmuesi Ismael Dunga nuk do të jetë më pjesë e Vllaznisë. Mesa duket klubi shkodran dhe skuadra e Sagan Tosu në Japoni kanë gjetur gjuhën e përbashkët duke bërë që lojtari të bëjë këtë transferim të tij drejt Japonisë.

Pas bisedimeve intensive është rënë dakord që klubi shkodran të arkëtojë 70 mijë euro nga shitja e sulmuesit Ismael Dunga, i cili do të nisë një eksperiencë të re në Japoni, në klubin ku më parë ka luajtur edhe Fernando Torres. Për shifrën mes klubeve kishte pasur dakordësi prej kohësh, por një nga kleçkat ishte pagesa. Ajo do të bëhet me një këst dhe firma mbi kontratë është hedhur.

Klubi i Sagan Tosu duhet të derdhë në arkat e Vllaznisë shumën e parave deri më 28 shkurt. Nëse nuk ndodh deri atëherë, në marrëveshje janë parashikuar edhe penalitete dhe normalisht Vllaznia do të marrë diçka më tepër. Gjithsesi nuk besohet se do të ketë probleme për këtë pjesë. Vllaznia toleroi goxha, pasi klauzola për largimin e Dungës ishte 200 mijë euro.

Në fakt fillimisht u tha se Dunga kishte probleme me dokumentacionin dhe u largua drejt Kenias. Më pas drejtuesit e Vllaznisë u shprehën se ardhja e tij në Shkodër nuk ishte e lehtë sepse gjërat funksionojnë ndryshe në Kenia, pak para se të shitej deklarata u ndryshua sërish duke thënë se po bëhen përpjekje për t’u paisur me pasportë shqiptare ndërsa tashmë bëhet e ditur se sulmuesi është shitur në klubin japonez.

Dyshimet ishin të forta që në fillim që Dunga është larguar me këtë qëllim për t’u shitur. Ndërkohë tek Vllaznia ka ardhur një futbollist tjetër me ngjyrë mesfushori Elom Nya-Vedji. Futbollisti nga Togo, pjesë e kombëtares së tij në të shkuarën, ndodhet në Shkodër. Nya-Vedji, 23 vjeç, luan si anësor i djathtë dhe ka spikatur te Zeta në Mal të Zi.

Pjesën e parë të këtij sezoni ai ka luajtur në 16 ndeshje (11 titullar) dhe ka shënuar tre gola. Për herë të parë në Europë i është bashkuar skuadrës së Rudar (17 ndeshje, 3 gola) dhe tani po bëhet gati për një eksperiencë të re në Superiore.