Vllaznia në basketboll për meshkuj nga një ekip që arriti në finale sezonin e kaluar, këtë vit ka vetëm 10 basketbollistë, 5 prej të cilëve janë 15 deri në 17 vjeç të ardhur nga ekipi i të rinjve. Vllaznia do të luaj ndeshjen e parë ndaj Apolonisë në Shkodër më 9 tetor por trajneri Damian Bekteshi thotë se situata në skuadrën e tij është e vështirë për shkak të largimit të lojtarëve.

Trajneri Bekteshi pranon se basketbollistët e Vllaznisë me këtë ekip që kanë aktualisht rrezikon rënien nga Kategoria Superiore.

Është emergjente shprehet tekniku Bekteshi që Federata Shqiptare e Basketbollit të mos lejojë aktivizimin e më shumë se 3 lojtarëve të huaj në fushën e lojës. Ardhja e shumë basketbollistëve amerikan tek Vllaznia vitet e fundit vetëm për disa muaj në sezon ka bërë që lojtarët vendas të largohen duke sjellë këtë situatë ku ekipi nuk ka lojtarët e duhur as për formacionin e parë.

Pavarësisht situatës së vështirë në të cilën ndodhen basketbollistët e Vllaznisë, trajneri Bekteshi dhe lojtarët që ka aktualisht do të përpiqen që të japin maksimumin por për shkak të përforcmit të ekipeve të tjera për momentin i vetmi objektiv është mbijetesa.