Vllaznia e femrave ka barazuar ndaj Mitrovicës, në miqësoren e luajtur në Ulqin. Përballja në mes dy ekipeve kampione të Shqipërisë dhe Kosovës, ka dhuruar rezultatin e barabartë 1-1. Kjo ndeshje u ka shërbyer stafeve teknike të të dy ekipeve për të testuar futbollistët në prag të nisjes së fazave të dyta të kampionateve. Pjesa e parë, pavarësisht rasteve të krijuara, nuk ka prodhuar gola, por krejt ndryshe do të ndodhte në të dytën. Fillimisht ka qenë ekipi i Mitrovicës që ka kaluar i pari në avantazh, por nuk ka zgjatur shumë. Për Vllazninë do të barazonte pikërisht kapitenja Esmeralda Franja. Më pas do të kishte edhe raste të tjera, por që nuk u konkretizuan dot.

Në fakt, duhet thënë se trajneri i Vllaznisë, Nikolin Leka nuk i ka patur në dispozicion të gjitha futbollistet. Megjithatë, paraqitja e ekipit ka qenë e mirë, duke qenë se përballë ishte një ekip shumë i fortë si Mitrovica, që ditët e fundit është përforcuar edhe me disa futbolliste të tjera cilësore. Në harkun kohor të një jave, për Vllazninë e futbollit të femrave kjo ishte ndeshja e dytë miqësore, pasi pak ditë më parë zhvilloi një tjetër duel ndaj Buduçnostit të Podgoricës, duke fituar me rezultatin e pastër 3-0.

Artikulli paraprakRREGULLA TË REJA PËR SEZONIN E GJUETISË
Artikulli tjetërMINISTRJA IBRAHIMI TAKIM ME BIZNESET NË SHKODËR