
Vllaznia e femrave ka fituar me rezultatin 2-0 ndeshjen miqësore ndaj Buduçnost të Podgoricës. Ky takim, i luajtur në stadiumin “Loro Boriçi”, u dominua nga vajzat kuqeblu, teksa të dy golat u shënuan në pjesën e dytë të ndeshjes. Në pjesën e parë, rastet për shënim ishin të shumta, por sulmueset e Vllaznisë ishin pafat përpara portës së Buduçnost. Në pjesën e dytë, fillimisht do të ishte mesfushorja Berisha ajo që do të zhbllokonte shifrat dhe më pas Megi Doçi shënoi golin e dytë dhe të fundit të kësaj miqësoreje. Pas ndeshjes, trajneri i Vllaznisë, Nikolin Leka ishte i kënaqur me këtë miqësore, që i shërben për përgatitjet e ndeshjeve të Champions League.
Ndërkohë, presidenti i Vllaznisë në futboll për femra, Lazër Matija tha se janë gati për sfidat europiane.
Ekipi shkodran po i jep dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjet e Champions League, të cilat do të zhvillohen në fundin e muajit gusht në Shkodër dhe ku objektivi do të jetë padyshim vendi i parë dhe kualifikimi në turin tjetër të këtij kompeticioni të rëndësishëm europian.






