Vllaznia femra arrin një tjetër fitore në kampionat dhe thellon diferencën me skuadrën e vendit të dytë në tetë pikë. Çka do të thotë se titulli kampion tashmë është vetëm një formalitet për këtë ekip.

Ai sot ka fituar me rezultatin 7-0 ndaj Teutës së Durrësit. Rezultati i ndeshjes është zhbllokuar që në minutën e 18-të kur Ambra Gjegji ka kaluar në avantazh Vllazninë. Po gjatë pjesës së parë, shkodranet do të shënonin edhe një gol tjetër me anë të sulmuese tjetër, Uendi Muja.

Kjo pjesë do të mbyllej me shifrat 2-0. Në të dytën do të kishte edhe pesë gola të tjerë të shënuar nga vendaset.

Dy prej tyre janë shënuar nga Megi Doçi në minutat 59 dhe 70. Po dy gola do të shënonte një tjetër futbolliste, Luçie Gjini në minutat 63 dhe 68. Ndërkohë në minutën e 80-të do të shënohej edhe goli i fundit i ndeshjes që ka për autore sërish Uendi Mujën.

Përfundimisht 7-0 për Vllazninë e cila me këtë fitore ngjitet në kuotën e 33 pikëve dhe mban vendin e parë në renditje. Një ecuri shumë e mirë, me 11 fitore të arritura në po kaq ndeshje të luajtura. Por ekipi shkodran ndërkohë sot e ka çuar në tetë pikë diferencën me ekipin e vendit të dytë ngaqë Kinostudio që e mban atë, është mundur me rezultatin 1-2 nga Tirana AS.