7 vite për të fituar për herë të parë në Laç, Vllaznia thyen një tabu të madhe dhe këtë e bën me spekakël ofensiv. 5 gola të shënuar janë treguesi më i qartë i forcës së këtij ekipi, por kjo ishte një provë e parë ku jo të gjithë festuan plotësisht, mbi të gjitha trajneri Brdaric.

Të pësosh tre gola është gjithnjë një lajm jo i mirë, trajnerit dhe stafit të tij i duhet të gjejnë një zgjidhje të shpejtë për të rikthyer balancat brenda ekipit. Ky është një detaj që nuk e zbeh kurrsesi fitoren, pikët dhe entuziazmi kanë shumë rëndësi në këtë start.

Shkodranët e shohin veten menjëherë në krye, falë golavarazhit, por kalendari nuk i jep kohë të marrin frymë pasi menjëherë i rezervon Teutën, rivalin e tyre më të madh vitin e fundit.

Bregdetarët i hoqën nga duart titullin sezonin e fundit ndërsa i mposhtën edhe në finalen e Super Kupës. Në letër edhe këtë sezon, ekipi i Edi Martinit duket pengesa më e madhe për shkodranët, në “Loro Boriçi” këtë të shtunë luhet akti i parë, një sfidë që premton shumë.