Vllaznia arriti një sukses në sezonin që u mbyll por ende pa nisur mirë përgatitjet për sezonin e ardhshëm, nga kuqeblutë ka nisur një eksod largimesh. Kështu tre prej futbollistëve kryesor gjatë kampionatit të kaluar, sulmuesi Demir Imeri, mbrojtësi Aleksandër Isaevski dhe mesfushori Herald Marku i kanë dhënë lamtumirën kuqebluve. Imeri bëri të ditur largimin e tij përmes faqes në facebook teksa shkruan:

“Të nderuar qytetarë të Shkodrës, staf i klubit, shokë skuadre dhe mbi të gjitha shumë të respektuar tifozë të ekipit të zemrës, në suksese, në dështime, në lodhje, në lëvdata e në emocionet më të zjarrta të karrierës: JU FALENDEROJ pafund , për vitin më me emocion të karrierës sime! Do të mbeteni padyshim një nga kujtimet më të bukur!

Njëkohësisht ju jam mirënjohës për mikpritjen e ngrohtë dhe bujare shkodrane. Shpresoj të takohemi në të mira dhe suksese të Vllaznisë së madhe! Jam krenar që isha pjesë e kësaj familjeje. Mirë u takofshim djepi i futbollit shqiptar dhe ju shkodran të nderuar. Me shumë dashuri për JU”, shkruan futbollisti Imeri.

Isaevski edhe pse pritej që të rinovonte me kuqeblutë në fund ka zgjedhur që të largohet. Mbrojtësi maqedonas pritet që të firmosë me Dinamon, Kukësin ose Tiranën. Pas largimit Isaevski bëri edhe një falenderim:

“Një kapitull tjetër i mbyllur në librin tim. Faleminderit qyteti i Shkodrës! Faleminderit për pritjen e ngrohtë që më keni bërë, faleminderit që më keni marrë me krahë hapur, faleminderit që më jepni respektin maksimal, faleminderit që më dhuruat një kujtim të jetës.

Shokëve të mi të skuadrës, faleminderit që jeni vëllezërit e mi dhe luftuat pranë meje gjatë gjithë sezonit, që nuk më keni kthyer shpinën, që kaluam të mirën dhe të keqen së bashku, që më bëtë kampion. Stafit trajnues, faleminderit që më dhatë shansin të paraqitem në terren, që më dhatë lirinë të shprehem, dhe më së shumti faleminderit që besuat në mua. Gjithashtu faleminderit stafit mjekesor dhe gjithë njerëzve që punojnë prapaskenat por nuk njihen.

Tifozëve që na mbështetën gjatë gjithë sezonit dhe udhëtuan kudo, keni munguar gjithë sezonin në stadiume por prania juaj ishte gjithmonë e ndjerë. Vazhdoni ta mbështesni dhe ta doni ekipin në mënyrën se si e bëni! Të gjithë e bëmë këtë skuadër të suksesshme përsëri. Shpresoj që rrugët tona të kryqëzohen përsëri në jetë”, përfundon Isaevski.

Ndërkohë mesfushori Herald Marku tashmë ka hedhur firmën me Partizanin dhe do jetë lojtar i të kuqve sezonin e ardhshëm ndërsa edhe ai ka një falenderim:

“Përshëndetje! Pas dy sezonesh të paharrueshme me Vllazninë, erdhi momenti të filloj një kapitull të ri në karrierën time. Kalova çaste të mrekullueshme dhe që do t’i mbaj mend gjatë. Dua të falenderoj Bordin Drejtues për mundesinë e dhënë, për të qenë pjesë e Vllaznisë, Kryetaren e Bashkisë Voltana Ademi, Drejtorin Suad Licin dhe Sponsorin Alban Xhaferri.

Falenderoj stafin teknik, tranjerin Thomas Brdariç për besimin dhe mbështetjen e madhe për mua gjatë sezonit, falenderoj stafin mjeksor, falenderoj të gjithë shokët e ekipit që çdo sfidë e kaluam sëbashku.

Çdo moment ishim si një familje për mua. Falenderoj kapitenin Erdenis Gurishta për mbështetjen që nga dita e parë. Nuk mund të harroj pa falenderuar të gjithë tifozët e mrekullueshëm të Vllaznisë. Kanë gjetur mundësinë të na përkrahin gjithmonë edhe në këtë vit të vështirë. Ju falenderoj përzemërsisht”, përfundoi Marku.

Nga Vllaznia pritet largimi edhe i disa futbollistëve të tjerë ndërsa pritet në vazhdimësi për t’u parë se cilët do jenë lojtarët që do zëvendësojnë këto futbollistë që i dhanë suksesin kuqebluve sezonin e kaluar.