
Vllaznia eleminohet nga Konferencë League. Shkodranët fituan 1-0 ndaj Linfield por nuk mjaftoi për t’u kualifikuar pas humbjes 3-1 në sfidën e parë në Irlandën e Veriut. Vllaznia zhvilloi një ndeshje të mirë, dominoi kundërshtarët, por nuk shkoi më shumë se fitorja 1-0 ndaj Linfield. Balaj shënoi golin e fitores në minutën e 54. Kuqeblutë pretenduan në të paktën dy raste për penallti, por arbitri vijoi lojën. Shkodranët patën edhe disa raste të tjera shënimi por nuk u shfrytëzuan siç duhet për ta çuar të paktën në shtesë ndeshjen.
Trajneri i Vllaznisë, Migen Memelli ndien keqardhje për eleminimin por është krenar për lojën e zhvilluar.
Për sezonin e ri Memelli kërkon edhe dy tre futbollistë tek Vllaznia për të vendosur pastaj për synimet në kampionatin e ardhshëm.
Në fund, trajneri Memelli kërkoi ndjesë edhe për debatin që u krijua një ditë përpara ndeshjes ndaj Linfield në konferencën për shtyp me gazetarët.
Nga ekipet shqiptare në Konferencë League Tirana mbetet e vetmja që kalon në turin e dytë pas kualifikimit ndaj gjerogjianëve të Dinamos së Batumit. Bardheblutë do të luajnë përballë ekipit të famshëm Beshiktash të Turqisë. Egnatia u eleminua nga Ararat Armenia me penallti. Edhe Partizani mori një eleminim në Ligën e Kampioneve por do vijojë aventurën e saj në turin e dytë të Konferencë League.