
Vllaznia vijon të jetë ende një nga skuadrat e Abissnet Superiore me merkato të bllokuar nga FIFA. Qeveria e futbollit botëror ka marrë masa për ekipin shkodran, për shkak të detyrimeve të pashlyera. Shkodranët rezultojnë që në datën 13-janar me dritaren dimërore të transferimeve të bllokuar dhe që nga ajo datë në fakt, Vllaznia nuk ka afruar asnjë futbollist. Skuadra kuqeblu nxitoi që në ditët e para të janarit për të siguruar shërbimet e Serjan Repajt dhe Alfred Mensah, të cilët janë të vetmet përforcime të Vllaznisë në këtë sesion. Çështja, e cila ka sjellë këtë sanksion për shkodranët, është ajo e mbrojtësit Eslit Sala.
Klubi nga Malta, Valleta ka paditur Vllazninë në FIFA, duke kërkuar taksën e formimit që kap vlerën e 80-mijë eurove. Shkodranët e kanë dërguar çështjen edhe në CAS, teksa edhe aty e kanë humbur dhe tashmë mbetet të shlyhet ky detyrim për t’iu zhbllokuar merkato. Gjithsesi, për momentin Vllaznia e ka merkaton e bllokuar dhe me gjasa nuk do të ketë më afrime gjatë këtyre pak ditëve që kanë mbetur.
Megjithatë, në Shkodër ka edhe një tjetër çështje. Marko Juriç është jashtë planeve të drejtuesve, por mbrojtësi ka refuzuar që të ndërpresë kontratën. Në të tilla kushte, 30-vjeçari do të qëndrojë në skuadër, edhe pse do të stërvitet me ekipin e dytë. Në fakt, pavarësisht negociatave që kanë patur drejtuesit e Vllaznisë me Juriç, kroati ka patur pretendime financiare për të mbyllur marrëveshjen dhe në mungesë të konsensusit, marrëdhënia do të vijojë të jetë e ftohtë deri në verë dhe me lojtarin që me gjasa nuk do të grumbullohet më nga ekipi i parë në asnjë ndeshje në vazhdim.