Në një periudhë ku pushimet kanë mbaruar për thuajse gjithë ekipet e futbollit në Shqipëri dhe të gjithë kanë filluar përgatitjet për sezonin e ri tek Vllaznia ende nuk dihet asgjë cfarë do ndodhë me përgatitjet verore.

Që me datën 27 maj që përkon me ndeshjen e fundit me Tiranën ku Vllaznia siguroi mbijetesën ekipi është shpërndarë dhe nuk dihet ende një datë e saktë për grumbullimin dhe nisjen e përgatitjeve.Trajneri Cungu dhe lojtarët janë lënë totalisht të lirë nga ana e drejtuesve të cilët nuk prononcohen për të ardhmen e Vllaznisë dhe nuk po marrin përgjegjësitë që i takojnë për startin e sezonit të ri dhe gjetjen e një destinacioni të duhur për zhvillimin e fazës përgatitore.

Vllaznia ende qëndron në ajër dhe një enigmë e madhe vërtitet rreth së ardhmes të këtij ekipi.Gjithashtu janë larguar shumë lojtarë që kanë qenë pjesë e ekipit sezonin e kaluar dhe për asnjërin prej tyre nuk është gjetur zëvendësues ku ekipet e tjera të gjithë kanë lëvizur në merkato.Me sa duket do ripërsëritet situata e sezoneve të kaluara ku ekipi formohej dy javë para fillimit të kampionatit duke luftuar deri në javën e fundit për mbijetesë në kategorinë superiore.