Haris Lika pritet që të jetë trajneri i ri i Vllaznisë për femra. Tekniku shkodran brenda pak ditësh mund të prezantohet edhe në rrugë zyrtare nga Presidenti i Vllaznisë për femra Lazër Matija. Haris Lika vjen në këtë pozicion të rëndësishëm pas një eksperience në drejtimin e disa ekipeve të ndryshme të moshave në Shkodër dhe disa ekipe në Kategorinë e Dytë dhe të Tretë. Vllaznia në futbollin e femrave është një prej ekipeve më të suksesshme shqiptare pasi arriti deri në fazën finale të grupeve të Ligës së Kampioneve mes ekipeve më të mira europiane dhe natyrisht për trajnerin e ri Lika do të jetë një privilegj që të drejtojë një skuadër që numëron kaq shumë suksese. Haris Lika zëvendëson trajnerin e mëparshëm Nikolin Leka i cili tashmë do të ketë një pozicion të ri në këtë ekip, atë të drejtorit të përgjithshëm.

Me këtë lëvizje tek Vllaznia e femrave, emërimin e trajnerit Haris Lika dhe vendosjen si drejtor të Nikolin Lekës, kjo skuadër tashmë ka një staf më të zgjeruar. Trajneri Nikolin Leka ka marrë drejtimin e Vllaznisë për femra në korrik të vitit 2015 dhe që atëherë vijoi punën me këtë ekip duke patur një karrierë të suksesshme. Ka fituar tetë tituj kampion radhazi nga sezoni 2015-2016 dhe deri më tani. Po ashtu numëron edhe 8 trofe të tjerë pasi vajzat e Vllaznisë kanë fituar edhe Kupën e Shqipërisë për tetë sezone radhazi në kohën e teknikut Lekaj.

Ndërkohë rezultati më i suksesshëm i Vllaznisë ishte kualifikimi në grupet e Ligës së Kampioneve sezonin e kaluar. Tashmë Lekaj do vijojë të synojë sukseset me këtë ekip por tashmë në rolin e drejtorit të vajzave të Vllaznisë të cilat në stol pritet të kenë trajnerin e ri Haris Lika. Ky i fundit do të kërkojë të vijojë ecurinë pozitive që Vllaznia e femrave ka ndërtuar për vite me radhë duke numëruar 10 tituj kampion dhe 10 Kupa të Shqipërisë të fituara duke qenë skuadra absolute në futbollin shqiptar.

Artikulli paraprakFËMIJËT NË KËRKIM TË LËMOSHËS, INSTITUCIONET HESHTIN
Artikulli tjetërBELERI PAS HEKURAVE PËR BLERJE VOTASH, JA KUSH DO TA VIZITOJË NESËR NË QELI