Tre futbollistë të akademisë Vllaznia kanë hedhur firmën me ekipin e parë me një kontratë 3-vjeçare duke bërë që deri në vitin 2020 të jenë pjesë e kuqebluve.

Në këtë mënyrë bëhet fjalë për tre lojtarët e akademisë Vllaznia sulmuesi Belajdi Pusi, mesfushori Sinisha Rajçeviç dhe mbrojtësin Denis Miloti. “Me firmosjen e këtyre kontratave, klubi Vllaznia tregon se po i kushton përherë e më shumë rëndësi e vëmendje projektit të rritjes dhe formimit të brezit të ri pranë Akademisë tonë”– thuhet në njoftimin e klubit shkodran. Vllaznia edhe këtë sezon nuk është duke kaluar momente të mira në kampionat, megjithatë drejtuesit e klubit nuk e ndalin projektin e tyre për t’i dhënë përparësi punës me elementin e ri. Nëse sot me ekipin e parë të Vllaznisë po spikasin futbollistë 18-20 vjeçarë si Krymi, Hebaj, Pjeshka, Kalaja, Çinari, Dyca etj, shumë shpejt mund të kemi edhe tre lojtarët që sapo kanë firmosur Pusi, Rajçeviç dhe Miloti. Njoftimi për firmosjen e kontratave të tre futbollistëve të U-19 është bërë zyrtar edhe në faqen e klubit vllaznia.al. Lojtarët janë të ditëlindjes 1998 ndaj edhe duke patur një kontratë deri në 2020 premtojnë shumë për të ardhmen. Këta futbollistë mund të përdoren nga stafi teknik për sezonin e ardhshëm por nuk përjashtohet mundësia që për shkak të dëmtimeve apo edhe pezullimeve me kartonë të luajnë edhe në ndonjë ndeshje të këtij sezoni si në rastin e Milotit i cili ishte zëvendësues në përballjen e fundit të Vllaznisë me Skenderbeun.