Pak ditë pasi bëri debutimin me ekipin e parë të Vllaznisë në sfidën europiane ndaj Malishevës, talenti 17-vjeçar Sokol Uldedaj ka firmosur kontratën e tij të parë profesioniste me klubin shkodran. Sulmuesi i krahut, një nga produktet më premtuese të Akademisë kuqeblu, po kalon një moment të rëndësishëm në karrierë, ndërsa klubi e zyrtarizoi marrëveshjen përmes një videoje prezantuese. Debutimi i tij në UEFA Conference League ishte sinjali i parë i besimit të stafit teknik dhe trajnerit Edi Martini, ndërsa firma në kontratë e konfirmon se Vllaznia synon ta ketë pjesë të projektit për të ardhmen.

Por surprizat nuk mbaruan me kaq. Menjëherë pas Sokolit, Vllaznia prezantoi edhe vëllain e tij binjak, Simon Uldedaj, i cili gjithashtu hodhi firmën në kontratën e parë profesioniste. Klubi përdori të njëjtën video prezantuese për të dy futbollistët, duke luajtur me ngjashmërinë e tyre të madhe fizike, ndërsa dallimi i vetëm ishte numri në fanellë: Sokoli me numrin 44 dhe Simoni me numrin 66.

Dy binjakët janë ndër talentet më të spikatura të Akademisë së Vllaznisë dhe më herët kanë qenë edhe në provë te Dinamo Zagreb, duke tërhequr vëmendjen e klubeve të huaja. Simoni aktivizohet si mbrojtës i djathtë, ndërsa Sokoli është një lojtar ofensiv i krahut, çka i jep klubit dy elementë me potencial të madh për të ardhmen. Firmosja e kontratave profesionale me ta është një tjetër dëshmi se Vllaznia vazhdon të investojë dhe t’i besojë futbollistëve të dalë nga akademia e saj.

 

https://youtu.be/tt5TcM4RWG0

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakVIROZAT TE FËMIJËT, PEDIATRIA JEP KËSHILLA PËR PRINDËRIT
Artikulli tjetërKUVENDI MBLIDHET SOT NË SEANCË PLENARE, NË REND DITE VLERËSIMI I PUNËS SË INSTITUCIONEVE TË PAVARURA NË 2025