Vllaznia ka marrë fitoren e parë nën drejtimin e stafit të ri teknik me në krye trajnerin shkodran Armando Cungu. Në fakt ka qenë një ndeshje miqësore që kuqeblutë kanë zhvilluar përballë skuadrës së Malit të Zi, Deçiçit.

Në këtë përballje të ekipit kuqeblu Vllaznia ka arritur që të fitoje me rezultatin 2-0. Shkodranët kanë shënuar nga një gol në secilën pjesë duke arritur që të marrin fitoren. Gjithsesi më shumë se fitorja rëndësi për Vllazninë në këtë përballje miqësore kishte testi për lojtarët në provë por edhe për të parë gjendjen e lojtarëve aktual në prag të rikthimit të ndeshjeve të Superligës. Pjesa e parë nis me një rast të pastër për gol për sulmuesin serb Jaksiç që trajneri Cungu po e testonte por nuk konkretizon me gol. Shkodranët vazhdojnë lojën e tyre sulmuese teksa në minutën e 4 është Shtubina ai që realizon golin e parë për Vllazninë. Në pjesën e dytë trajneri i Vllaznisë Armando Cungu aktivizon pothuajse të gjithë futbollistët e stolit e po ashtu i jep një mundësi edhe sulmuesit tjetër Rovçanin duke e zëvendësuar me sulmuesin Jaksiç. 45 minutat e dyta kanë patur një ritëm edhe më të ulët se pjesa e parë. Marku fiton një 11-metërsh që kthehet në gol nga Arbri duke e çuar në 2-0 rezultatin. Nga sa mësohet të dy futbollistët që ishin në provë tek Vllaznia serbo-boshnjaku Rovçanin dhe serbi Jaksiç janë larguar pa lënë shenjë sepse nuk bindën trajnerin Cungu. Tashmë bëhen 5 futbollistë që u testuan tek Vllaznia dhe që largohen brenda pak ditëve duke qenë se nuk kanë bindur stafin teknik. Duhet pritur se çfarë do të bëhet në të ardhmen duke qenë se ditët kalojnë dhe nevoja për të përforcuar sulmin tek shkodranët është e madhe.