Emocione dhe gola ka dhuruar sfida “Klasike” e futbollit shqiptar. Vllaznia ka përmbysur Tiranën, duke fituar me rezultatin 3-1 në “Loro Boriçi”. Kryendeshja e kësaj jave në Abissnet Superiore ishte e bukur dhe e luftuar, teksa përballja nisi shumë mirë për Tiranën, që kaloi në avantazh me Tabekou. Shkodranët reaguan menjëherë dhe barazuan shifrat me një supergol të Yagos, ndërsa pak minuta më vonë kapiteni Balaj shënoi golin e avantazhit. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 2-1 për vendasit, që me fillimin e pjesës së dytë detyrohen të luajnë në inferioritet numerik, pasi Kuro, i sapofutur në fushë, u ndëshkua me karton të kuq. Tirana u mundua të përfitojë, por nuk arriti dot te goli. Përkundrazi, ishin kuqeblutë ata që fituan një penallti, që u kthye në gol nga Kastrati. Kështu, “Klasikja” u mbyll me rezultatin 3-1 për Vllazninë. Trajneri Edi Martini u shfaq tepër i lumtur pas triumfit 3-1 që skuadra e tij arriti në shtëpi ndaj Tiranës.
Nga ana tjetër, trajneri i Tiranës, Roberto Bordin deklaroi se humbja përballë Vllaznisë tregoi se ekipi i tij ka përsëri shumë për të përmirësuar.
Tashmë, pas kësaj fitore, shkodranët ruajnë kreun e renditjes në kuotën e 19-pikëve.

Artikulli paraprakRIKTHEHET HAPËSIRA E ORKESTRËS NË TEATRIN “MIGJENI”
Artikulli tjetërAKSIDENT NË KRYQËZIMIN E GJADRIT NË LEZHË, PËRPLASEN TRE AUTOMJETE