Pas 13 vitesh mungesë Vllaznia është rikthyer tek suksesi duke fituar Kupën e Shqipërisë. Viti i fundit ishte 2008-ta kur shkodranët ngrenin trofeun e fundit në kohën e Presidentit të atëhershëm Valter Fushaj. Është dashur që të kalojnë 13 vite, 9 prej të cilave sezone shumë të vështira që Vllaznia të rikthehet tek suksesi.

Kuqeblutë fituan 1-0 ndaj Skenderbeut në finalen e Kupës e luajtur në “Air Albania”. Mjaftoi një gol i Da Silvës në pjesën e dytë për të rikthyer emocionet e munguara tek shkodranët. Kjo ishte edhe ndeshja e parë e këtij sezoni që u luajt me tifozë dhe natyrshëm shkodranët pushtuan arenën kombëtare në këtë finale duke i dhënë mbështetje skuadrës së tyre.

Pas fitimit të këtij trofeu trajneri i Vllaznisë Thomas Brdariç është shumë i lumtur për suksesin e arritur.

Kapiteni Erdenis Gurishta thotë se ishte një sezon fantastik i Vllaznisë ndërsa këtë fitimin e Kupës ia kushton nënës së tij që nuk jeton më.

Kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi vlerëson skuadrën për këtë sezon që u mbyll me trofe.

Menjëherë pas fitimit të Kupës futbollistët dhe ekipi i Vllaznisë festuan fillimisht në stadium këtë trofe. Kjo është Kupa e 7-të që fiton Vllaznia në historinë e saj ndërsa është një moment kthese pas gjithë atyre sezoneve ku diskutohej mbijetesa.

Artikulli paraprakVENDET E BE-SË NISIN VAKSINIMIN E ADOLESHENTËVE
Artikulli tjetërNESËR PASDITE ZHVILLOHET ONLINE ASAMBLEJA KOMBËTARE E PS, ZBARDHEN VENDIMET QË DO TË MERREN