E ka mbyllur me fitore serinë e ndeshjeve miqësore në Slloveni ekipi i Vllaznisë. Në takimin e luajtur ndaj Al Sharahnija të Katarit, ekipi shkodran ka fituar me rezultatin 2-1. Të dy golat për ekipin shkodran janë shënuar në pjesën e dytë dhe autorë të tyre kanë qenë Kiri dhe Ahmeti. Pjesa e parë është mbyllur me rezultatin 1-0 për skuadrën nga Katari.

Në minutat e para të pjesës së dytë ka barazuar shifrat Fatjon Kiri për Vllazninë, ndërsa pak minuta më vonë ka qenë kosovari Berat Ahmeti që ka shënuar edhe golin e dytë dhe njëkohësisht të fitores për ekipin shkodran në këtë ndeshje.Në këtë mënyrë, kuqeblutë e kanë mbyllur fazën përgatitore në Dravograd me 4 ndeshje miqësore të luajtura, nga të cilat kanë fituar 3 prej tyre dhe kanë barazuar vetëm një. Fitoret ato i kanë arritur ndaj ekipit Dravograd me rezultatin 4-2, ndaj Celje 2, me rezultatin 1-0, dhe sot ndaj Al Sharahniya me rezultatin 2-1, ndërsa kanë barazuar 2-2 me sllovenët e Promo Team. Pas përfundimit të takimit të sotëm, ekipi i Vllaznisë është nisur drejt Shkodrës duke i dhënë fund kësisoj stërvitjes 12 ditore në Slloveni, e cila është zhvilluar në kushte shumë të mira, si asnjëherë tjetër këto vitet e fundit