
Vllaznia futsall e ka nisur sezonin në mënyrë bindëse, duke konfirmuar statusin e kampiones në fuqi. Kuqeblutë triumfuan 8-1 ndaj ekipit të Forcave të Armatosura në pallatin “Qazim Dervishi”, në një ndeshje të dominuar totalisht nga fillimi në fund. Protagonist absolut ishte Ari Djepaxhia me tre gola, ndërsa Saimir Hyseni realizoi dy herë. Në listën e golashënuesve u shtuan edhe Alsid Tafili, Semir Gokaj dhe Denis Çokaj. Pas ndeshjes, drejtori Arben Xhaferi theksoi se objektivi i skuadrës mbetet mbrojtja e titullit kampion.
Ndërkohë, portieri Maldin Tafa dhe lojtari Joald Ivziku u shfaqën të kënaqur me paraqitjen.
Në javën e dytë, Vllaznia do të luajë në transfertë ndaj Jata Market në Tiranë, ku synimi mbetet sërish fitorja.






