
Vllaznia futsall ka arritur fitoren e parë në fazën para-eliminatore të UEFA Champions League. Në takimin e zhvilluar në Parkun Olimpik në Tiranë, kuqeblutë mposhtën skuadrën islandeze Isbjorninn, duke triumfuar me rezultatin 4-0. Golat e fitores u shënuan nga Tafiç, Gokaj, Loloviç dhe Çokaj. Vllaznia kaloi në avantazh në minutën e shtatë me Tafiç, ndërsa Gokaj dyfishoi rezultatin në minutën e 13-të. Në pjesën e dytë, dominimi i kuqebluve vazhdoi. Loloviç realizoi golin e tretë dhe Çokaj vulosi shifrat në 4-0. Pas ndeshjes, Fisnik Barbullushi, presidenti i Vllaznisë në futsall, tha se iu duhej kjo fitore për të qëndruar akoma në garë, ndërsa shtoi se do të japin maksimumin deri në fund.
Të shtunën në mbrëmje, në orën 20:00 do të zhvillohet ndeshja e fundit e grupit për Vllazninë ndaj Tigers.






