
Vllaznia futsall ka marrë një fitore dramatike me rezultatin 5-4 ndaj Flamurtarit. Kuqeblutë e mbyllin kampionatin e rregullt në vendin e parë, duke konfirmuar formën e mirë para fazës finale. Ndeshja pati ritëm të lartë, teksa shkodranët dominuan fillimisht duke shkuar në 4-0 me golat e Semir Gokajt, Joald Ivzikut, Denis Çokajt dhe Mateo Çardakut, por më pas pësuan katër gola rradhazi që rikthyen baraspeshën. Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt një barazimi, ishte përvoja e Denis Çokajt që bëri diferencën, duke realizuar golin e fitores vetëm një minutë para fundit. Trajneri i Vllaznisë në futsall, Alsid Tafili, foli pas fitores me Flamurtarin, teksa tha se tashmë janë gati për “Final Four”.
Edhe dy prej autorëve të golave, Denis Çokaj dhe Mateo Çardaku u shfaqën shumë të lumtur me këtë fitore.
Një sukses me peshë ky jo vetëm për renditjen, por edhe për aspektin psikologjik, pasi vjen ndaj një rivali direkt dhe i jep besim maksimal ekipit të drejtuar nga Alsid Tafili për fazën vendimtare të sezonit.


