
Vllaznia më në fund ka arritur që të shkuptet nga fundi i tabelës në Supërligë.
Shkodranët kanë marrë një fitore në shifrat 4-0 ndaj Tërbunit në ndeshjen që u luajt në qytetin e Pukës. Vllaznia e ka gjetur shumë shpejt golin e avantazhit që në minutën e 6-të me anë të sulmuesit Çinari. Topi përplaset në shtyllë dhe kthehet në këmbët e Çinarit që nuk e ka të vështirë të realizojë. Vendasit nuk dorëzohen lehtë dhe pas minutës së 30-të kanë mundësi të barazojnë por nuk arrijnë të konkretizojnë siç duhet. Dibra në minutën e 34’ ka shansin e golit të dytë por goditja e tij përfundon jashtë. Pa u mbyllur pjesa e parë Tërbuni ka një tjetër mundësi goli por sërish mungon finalizimi për të gjetur barazimin ndaj Vllaznisë. Pjesa e dytë nis me një penallti për Vllazninë. Nga pika e 11-metërshit Vrapi gabon sepse pret portieri mik duke humbur kështu një shans për të gjetur golin e dytë. Gjithsesi shkodranët e gjejnë qetësinë në minutën e 61’ kur Kalaja jep një assist për Arenc Dibrën që realizon golin e dytë për kuqeblutë. Në këtë disavantazh Tërbuni nuk ka më fuqi për të reaguar. Vllaznia e shfrytëzon këtë dhe një top nga Vrapi, Dibra arrin ta kthejë në gol me një planzhon të bukur me kokë. Rezultati shkon në 3-0 ndërsa Tërbuni proteston për pozicion jashtë loje. Dyca që futet në pjesën e dytë në minutën e 87 shmang bukur një mbrojtës dhe nga një pozicion diagonal jep një gjuajtje të bukur që përfundon në katërkëndëshin e Tërbunit duke vulosur në 4-0 fitoren e Vllaznisë ndaj pukjanëve. Shkodranët i kanë ndihmuar këtë javë edhe humbja e Bylisit me Partizanin si dhe barazimi i Tiranës me Flamurtarin. Kështu kuqeblutë arrijnë vendin e 7-të me 23 pikë duke qenë një pikë përpara Flamurtarit, 3 përpara Bylisit dhe 10 pikë përpara Tërbunit. Megjithatë llogaritë ende nuk janë mbyllur sepse shkodranët kanë dy javë të vështira teksa presin Tiranën në Shkodër e ndërsa më pas udhëtojnë në Ballsh në ndeshjen direkte me Bylisin ku kanë një shans për të vulosur qëndrimin në Superligë.
/ Star Plus TV /


