Gjendja gripale në Malin e Zi ashtu si edhe në Shqipëri ka prekur edhe ekipin e Vllaznisë. Kuqeblutë ndodhen në Ulqin të Malit të Zi teksa po zhvillojnë fazën përgatitore të dimrit përpara rinisjes së pjesës së mbetur të kategorisë Superiore.

Kampionati duhej të niste me 21 janar teksa Vllaznia ka ndeshjen e parë me Kukësin por në fakt FSHF pas kërkesës së vetë klubeve mes të cilave edhe Vllaznia vendosi që ta shtyjë superioren me një javë, duke e zhvendosur me 28 janar. Kjo i jep më shumë kohë ekipeve për t’u përgatitur. Burime pranë Vllaznisë bëjnë me dije se faza përgatitore në Ulqin të Malit të Zi nuk do të zgjasë më shumë se 10 ditë, aq sa ishte përcaktuar në fillim. U mendua se përgatitjet e kuqebluve mund të shtyheshin meqë edhe kampionati u zhvendos me një javë por nuk do të ndodh kështu. Shkak kryesor është bërë gjendja gripale në Malin e Zi. Po thuajse çdo ditë infermieria ka patur dy-tre lojtarë me gjendje gripale duke mos qenë në formë e tyre më të mirë shëndetësore. Kjo sipas stafit mjekësor vjen si shkak i grumbullimit. Në këtë mënyrë për të luftuar gripin, stafi teknik, drejtuesit dhe vetë futbollistët kanë menduar që faza përgatitore të mos zgjasë më shumë se 10 ditë duke shmangur kështu praninë e grupimeve të lojtarëve. Nga sa mësohet pas dy tre ditësh kuqeblutë do të rikthehen në Shkodër. Stërvitja do vijojë pas Ulqinit në fushën sportive “reshit Rusi” deri me 28 janar kur Vllaznia do ketë ndeshjen e parë me Kukësin. Mbrojtësi belg Muleno vijon provën ndërsa pritet të vijë në provë një sulmues.