Vetëm përmes një penalltie në minutën e fundit Partizani ka arritur që t’ia dalë mbanë përballë Vllaznisë. Kryeqytetasit fituan 2-1 ndaj ekipit shkodran.

Partizani iu fal një 11-metërshi që gjyqtari Enea Jorgji akordoi në minutën e 90’ pas një ndërhyrje të Bicaj ndaj Boniface që u kthye në gol nga Batha. Vllaznia kryesoi për 65’ minuta lojën. Elis Bakaj në ndeshjen e parë kundër Partizanit kthehet në protagonist duke shënuar golin e avantazhit përmes një topi që devijohet në miutën e 35’ të pjesës së parë. Për të mos mjaftuar disa prej mungesave, Vllaznia zbret pa Agoviç në portë duke i lënë vendit Selimaj për shkak të një dëmtimi në këmbën e tij. Përballë një Vllaznie me shumë mungesa u duk se Partizani do të dominonte në të gjitha aspektet. Ekuban ndalet nga Bicaj në minutën e 16’ ndërsa dhjetë minuta më pas (26’) Torrasa nuk gjen topin për të goditur. Vllaznia nuk luan vetëm e tërhequr ndërsa një top i gjatë mbahet në lojë në zonën e Partizanit, Bakaj provon goditjen dhe topi që devijohet përshëndet rrjetën e Alban Hoxhës. Vllaznia është në avantazh në minutën e 35’. Portieri Selimaj bën një fluturim në minutën e 41’ por Ekuban është më i shpejtë po nuk ka ka saktësinë e duhur. Pjesa e dytë nis me Partizanin më kërkues. Mazrekajt nuk i del skema në minutën e 54’. Si për të larë huanë Bardhi i Partizanin shënon golin e barazimit thuajse njësoj si Bakaj teksa topi devijohet dhe përfundon në rrjetë. Është minuta e 65’. Partizanit i mbeten 25 minuta për të siguruar fitoren. Minutat kalojnë dhe Vllaznia mbrohet mirë aq sa bën që goditjet si kjo e Mazrekaj në minutën e 78’ të jenë nga larg. Kur kuqeblutë ishin gati për festën, një top pa shumë pretendime përfundon në zonën e Vllaznisë, Bicaj shtrihet për ta larguar por gjen këmbën e Boniface. Është minuta e fundit dhe Partizani ka shansin e artë të 11-metërshit. Batha merr përsipër goditjen dhe nuk gabon. Selimaj në një anë dhe topi në anën tjetër. Të kuqtë marrin avantazhin ndërsa për Vllazninë nuk ka më kohë. Partizani siguron një fitore të vuajtur ndërsa Vllaznia një humbje dëshpëruese. Humbja e dytë radhazi pas asaj me Kukësin bën që shkodranët të mos ndjehen më komod sepse Laçi dhe Teuta janë shumë afër ndërsa po afrohet edhe Flamurtari duke rihapur gradualisht luftën për mbijetesë.