Klubi shkodran i futbollit i ka kërkuar Federatës Shqiptare të Futbollit që hyrja e tifozëve në stadium, ditën e shtunë, në ndeshjen ndaj Tiranës, të jetë falas.

Siç dihet, është institucioni i futbollit shqiptar, ai që e menaxhon aktualisht stadiumin “Loro Boriçi”, ndërkohë që Vllaznia është thjesht organizatorja e ndeshjeve dhe, për këtë arsye, vendimi për çmimet e biletave apo dhe hapjen e dyerve, duhet marrë në bashkëpunim me të.

Kështu ka ndodhur edhe këtë here, teksa kërkohet që për takimin me bardheblutë, tifozët të mos paguajnë për të parë sfidën më delikate të këtij sezoni. Por, ndërkohë, përveç kërkesës për hyrjen falas të tifozëve, klubi shkodran mësohet t’i ketë kërkuar federatës, por edhe Drejtorisë së Policisë Shkodër dhe klubit të Tiranës që të mos lejojnë ardhjen e tifozëve bardheblu në “Loro Boriçi”.

Kjo për të shmangur incidentet e mundshme që mund të krijohen në mes dy tifozërive, të cilat janë të acaruara shumë, sidomos pas përplasjes në mes tyre në finalet e kampionatit të basketbollit. Incidente këto që kanë qenë shumë të rënda dhe, për këtë arsye, tifozët e Vllaznisë kanë paralajmëruar se nuk do t’i mirëpresin rivalët e tyre në Shkodër, përkundrazi mund të jenë duke planifikuar edhe akte të rënda ndaj tyre.

Në rrethana të tilla, drejtuesit e klubit kuqeblu janë duke i paraprirë punës dhe për këtë arsye, kanë vendosur të lajmërojnë edhe federatën, policinë e klubin bardheblu për të ndërhyrë, që tifozët tiranas të mos vijnë në “Loro Boriçi”. Sfida është shumë delikate dhe padyshim që mund të marrë përmasa edhe më tragjike në rast të një përplasje mes dy tifozërive. Për këtë arsye duhet që palët të punojnë për të mos mbërritur deri këtu.

Artikulli paraprakLUFTA NDAJ KANABIS SATIVËS NË MALËSINË E MADHE
Artikulli tjetërINAGUROHET XHAMIA NË QERRET TË PUKËS