
Vllaznia do të udhëtojë këtë fundjavë drejt Laçit, aty ku do të luajë një ndeshje të rëndësishme për javën e katërt të Abissnet Superiores. Kuqeblutë kërkojnë të lënë pas krahëve startin jo bindës të kampionatit dhe humbjen 2-3 të pësuar në shtëpi ndaj Partizanit. Pas tri javëve të para, skuadra shkodrane ka grumbulluar vetëm dy pikë, pas dy barazimeve dhe një humbjeje, duke e bërë sfidën në transfertë edhe më të rëndësishme për ekipin e Edi Martinit. Për Vllazninë bëhet fjalë për një mundësi të mirë për të marrë fitoren e parë të kampionatit dhe për të rikuperuar pikët e lëna në javët e para. Përballë do të jetë Laçi, që në tri ndeshjet e para ka marrë katër pikë. Kurbinasit e nisën kampionatin me barazim ndaj Elbasanit, fituan në transfertë ndaj Partizanit, ndërsa në javën e tretë u mundën 1-3 nga Teuta.
Kështu, edhe vendasit kërkojnë rikthimin te rezultatet pozitive, çka e bën përballjen një duel të hapur mes dy skuadrave që kanë nevojë për pikë. Vllaznia, ndërkohë, do të kërkojë të përmirësojë edhe paraqitjen e saj pas humbjes me Partizanin, ku pavarësisht dy golave të shënuar nuk arriti të shmangte humbjen e parë të sezonit. Bilanci i përballjeve të fundit mes dy skuadrave tregon një rivalitet të fortë. Në ndeshjen e fundit mes tyre, të zhvilluar më 29 korrik në kuadër të miqësores, Vllaznia fitoi 3-0 ndaj Laçit. Ndërsa në kampionat, përballjet e fundit kanë qenë të ekuilibruara, me rezultate si 1-1 dhe 2-2.
Sfida e së dielës pritet të jetë një tjetër test për Vllazninë, e cila kërkon të reagojë pas fillimit të vështirë dhe të marrë tri pikët e para të kampionatit. Për kuqeblutë, një rezultat pozitiv në Laç do të ishte i rëndësishëm jo vetëm për renditjen, por edhe për të rikthyer besimin pas javëve të para. Laçi–Vllaznia do të luhet të dielën, më 13 shtator, në orën 17:00, në stadiumin e Laçit.


