E kishte paralajmëruar trajneri Armando Cungu në momentin e nisjes drejt Ulqinit se të enjten do të zhvillohej miqësorja e parë e Vllaznisë në Ulqin.

Dhe kështu do të ndodhë. Nga sa bëhet e ditur, kundërshtari i saj do të jetë ekipi i Besëlidhjes, që militon në Kategorinë e Parë dhe ka një trajner shkodran, Kreshnik Krepin. Lezhjanët do të udhëtojnë enkas nga qyteti i tyre për të zhvilluar këtë miqësore ndaj kuqebluve. Ky takim, sigurisht që do t’u shërbejë të dyja ekipeve, por më së shumti atij shkodran. Stafi teknik kuqeblu, i sapoardhur në krye të Vllaznisë, e ka shumë të nevojshme të shohë gjendjen e gjithësecilit, pozicionet në fushë dhe për të vendosur se çfarë duhet ndryshuar. Ende nuk ka asnjë informacion nëse në radhët e Vllaznisë, në këtë ndeshje, do të ketë ndonjë futbollist që do të vijë për provë apo jo. Kjo mbetet për t’u parë në ditët në vijim. Pas miqësores me Besëlidhjen, të shtunën pritet që Vllaznia të zhvillojë miqësoren e dytë, këtë herë përballë një ekipi malazez.