DREJTUESIT UDHËTOJNË DREJT KOSOVËS PËR TË TJERË FUTBOLLISTË. Pas zyrtarizimit të blerjes së parë të mesfushorit Jasir Selmani, Vllaznia ka gati kontratën e tyre, e këtë tashmë për portierin. Ka qenë trajneri Luan Zmijani i cili ka theksuar se ëhstë rënë parimisht dakort me malazezin Andrija Dragojeviç që të jetë pjesë e kuqebluve.

Nga të dhënat që gjendet për futbollistin në fjalë, përveç videos ku mund të shikohen qartë disa nga momentet e tij më të mira në futbollin malazez, Dragojeviç ka lindur me 25 dhjetor të vitit 1991 dhe është 1.93 i gjatë. Ai është aktivizuar në Mal të Zi me ekipe si Beograd Mlladonevac e Lovçen. Ndërkohë që sezonin e fundit është aktivizuar me ekipin Velez Mostar në Bosnjë Hercegovinë. Po ashtu ai është aktivizuar dhe me ekipin kombëtar për moshat U-19 me Malin e Zi. Këto janë të dhënat e portierit që për sezonin e ri pritet të mbrojë katërkëndëshin e portës shkodranë. Siç është duke u parë dhe nga video, cilësitë e tij duken të mira, por kjo mbetet për tu parë në aktivizmin e tij me Vllazninë. Ndërkohë drejtuesit e Vllaznisë, mësohet se kanë udhëtuar drejt Kosovës për të zhvilluar të tjera bisedime. Përveç drejtorit teknik, Armir Grima i cili është një ndër hallkat kryesore të merkatos dhe që jep veton e tij për të afruar apo jo një futbollist, në kosovë ka udhëtuar dhe administrator Neritan Kalamishi. Gjatë dy javëve në vazhdim skuadra pritet të ketë 6 afrime të reja në total, por deri tani emrat e lojtarëve janë duke u mbajtur secret, ndonse nuk ka lojtarë që deri tani dhe mund të njihen në Shqipëri për cilësinë e tyre. Vazhdimisht drejtuesit shikohen optimist për bisedimet që janë duke realizuar, kjo pasi pretendojnë se janë duke afruar lojtarë cilësorë.