Kukësi pa shkëlqyer shumë ka arritur që të dalë me fitore nga Shkodra.

Një supergol i sulmuesit Pejiç i jep tre pikët kuksianëve në ndeshjen përballë Vllaznisë që u luajt në stadiumin “Loro Boriçi”. Kuqeblutë patën disa raste por mungoi finalizimi. Nga ana tjetër kuksianët kanë shfrytëzuar një faull në minutën e 84’ që u kthye në gol nga Pejiç. Kukësi mban vendin e parë ndërsa për Vllazninë siç ka paralajmëruar trajneri Cungu nisin vështirësitë në këtë fazë të dytë të kampionatit. Kukësi nuk e ndal hapin dhe fiton në Shkodër përballë Vllaznisë. Ekipit të Ernest Gjokës i mjaftoi një supergol i Pero Pejiçit gjashtë minuta para fundit për të dalë me fitore 1-0 ndaj Vllaznisë. Edhe pse shkodranët kërkuan për ta fituar ndeshjen, eksperienca e Pejiç bën që Kukësi të dalë me tre pikë nga Shkodra. Në minutën e 7’ Çinari përpiqet pas një rrëmuje në zonë por pret Koliqi. Cicmil vjen nga mbrojtja por gjuajtja e tij përfundon mbi traun e portës (23’). Në minutën e 30’ Shtubina tenton me një kthesë brenda zonës por topi del jashtë. Kuksianët zgjohen në minutën e 33’. Ndërhyrja e Cicmil mban në barazpeshë rezultatin. Tafili kërkon befasinë nga distanca por pret pa probleme portieri i Kukësit. Edhe pjesa e dytë nis me Vllazninë kërcënuese por gjuajtje e Cicmil përfundon jashtë ndërsa nuk kuptohet me Tafilin (51’). Kuqeblutë kanë një tjetër mundësi me kapitenin Shtubina i cili godet lehtë duke mos patur shqetësim për gardianin kuksian. Vjen minuta e 63’ për të parë gjuajtjen e parë të Pejiç në pjesën e dytë por Agoviç është në gatishmëri. 15 minuta nga fundi sulmuesi Pepa ka një shans të artë teksa i shpëton mbrojtjes. Portieri Koliqi bëhet shpëtimtar ndërsa kuqeblutë nuk e besojnë se topi devijohet. Miqtë fitojnë një faull të diskutueshme për moviolën. Është minuta e 84’ teksa Pejiç bën një goditje perfekte duke ndëshkuar Vllazninë. Në shtesë kuqeblutë kanë një mundësi të mirë për të dalë me barazim por goditja e Shtubinës devijohet. Edhe pse nuk shkëlqeu, Kukësi diti të merrte maksimumin përballë një kundërshtari si Vllaznia që pati disa raste për të shkuar te goli por pa finalizuar. Kuksianët ruajnë vendin e parë me 39 pikë ndërsa gjërat për Vllazninë nisin të vështirësohen duke qëndruar në kuotën e 21 pikëvë dhe duke pritur fatin e Flamurtarit, Teutës dhe Laçit në ndeshjet që kanë.

Artikulli paraprakKAPET SKAFI ME DROGË,LENDA NARKOTIKE HIDHET NE DET
Artikulli tjetërNJË PARTI E RE PËR ISH TË PËRNDJEKURIT LIND ‘ALEANCA POPULLORE PËR DREJTËSI’