Klubi i futbollit Vllaznia përveç krizës nga mungesa e rezultateve në këtë fillim kampionati po vuan edhe përsa i përket anës ekonomike.

Mungesa e një fushe për të zhvilluar ndeshjet në Shkodër si shkak i punimeve në stadiumin “Loro Boriçi” dhe mosliçensimi i fushës sportive “Reshit Rusi” nga federata shqiptare e futbollit bën që Vllaznia të kërkojë stadiume jashtë Shkodrës për të zhvilluar ndeshjet brenda. Në këtë mënyrë ende nuk është vendosur se ku do të luhet takimi i radhës me Vllaznisë dhe Laçit. Dy janë mundësitë, qyteti i Durrësit në stadiumin “Niko Dovana” ose qyteti i Pukës në stadiumin “Ismail Xhemali”. Por problem mbeten shumat financiare që kërkohen për të luajtur në këto stadiume. 

VLLAZNIA-LAÇI, NË DURRËS DHE PUKË DUAN PARA PËR FUSHËN

Klubi i Teutës i ka kërkuar 2 milion lekë të vjetra Vllaznisë për ta zhvilluar aty ndeshjen. Nga ana tjetër edhe klubi i Tërbunit pas zhvillimit të dy ndeshjeve, atë me Skenderbeun dhe Partizanin tashmë do të kërkojë një shumë financiare që ende nuk e kanë bërë të ditur se sa mund të jetë. Burime nga klubi Vllaznia bëjnë me dije se duke parë situatën në të cilën ndodhen kuqeblutë dhe mungesën e një fushe për të zhvilluar ndeshjet, kërkojnë ta shfrytëzojnë këtë moment duke kërkuar para për të shfrytëzuar stadiumet e tyre. Në fakt një gjë e tillë është normale por klubi Vllaznia aktualisht është në situatë të vështirë financiare dhe është e pamundur që të bëhen pagesa të tilla. E vetmja zgjidhje siç edhe konfirmojnë burimet do jetë marrja borxh e parave nga klubi Vllaznia për t’ja dhënë Teutës ose Tërbunit për të mundësuar zhvillimin e ndeshjes me Laçin. Në vend që të mendohet për anën teknike apo rezultatin pozitiv, Vllaznia duhet të merret me gjetjen e parave borxh për të luajtur ndeshjet e kampionatit.