Çdo ditë e më shumë që kalon vështirëson situatën tek Vllaznia përsa i përket gjetjes së një fushë për të zhvilluar takimin e radhës ndaj Laçit.

Idea për ta zhvilluar ndeshjen në Durrës në stadiumin “Niko Dovana” ka rënë plotësisht. Drejtuesit e teutës përveçse kanë kërkuar 3 milion lekë të vjetra po ashtu kanë shfaqur edhe një kërkesë tjetër të çuditshme që Vllaznia t’ja lërë fitoren Teutës në sfidën e ardhshme dhe këta të fundit të lejojnë zhvillimin e ndeshjes në Durrës. Ky pretendim ka irrituar drejtuesit e Vllaznisë të cilët kanë hedhur plotësisht poshtë mundësinë për ta luajtur ndeshjen me Laçin në Durrës. Nga ana tjetër edhe Tërbuni i Pukës nga 500 mijë lekë të vjetra ka rritur në 2 milion lekë të vjetra shumën që Vllaznia duhet të paguaj në rast se dëshiron që ndeshjen me Laçin ta zhvillojë në stadiumin “Ismail Xhemali”. 

VLLAZNIA-LAÇI, TËRBUNI KËRKON 2 MLN LEKË PËR STADIUMIN

Kjo shumë prej 2 milion lekësh të vjetra aktualisht është e papërballueshme për Vllazninë dhe ende nuk dihet se si do të zgjidhet kjo çështje. Sa i përket stadiumit të Lezhës as atje nuk mund të luhet sfida sepse presidenti i Besëlidhjes Gjokë Noka nuk e pranon një gjë të tillë. Po ashtu stadiumi në qytetin e Krujës nuk është një mundësi e mirë për shkodranët sepse është pothuajse e barbartë me fushën e Laçit. Në këtë mënyrë shancet e Vllaznisë duket se janë shumë të pakta dhe momentalisht pavarësisht kërkesës prej 2 milion lekësh e vetmja mundësi mund të jetë që takimi të luhet në qytetin e Pukës. Një problem mbetet arka e boshatisur e Vllaznisë dhe klubi po pret mbledhjen e këshillit bashkiak nga ku pritet që të miratohet një shumë prej 200 milion lekësh të vjetra dhe shumë probleme të marrin rrugën e zgjidhjes përsa i përket anës ekonomike dhe pagesave të ndryshme.