
Vllaznia ka mposhtur Bylisin me rezultatin 0-1 në Ballsh. Kjo ishte ndeshja e parë e vlefshme për çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë. Fatin e takimit e vendosi Kastrati nga penalltia në pjesën e parë, ndërsa ishte Bismark që e fitoi.
Trajneri Martini preferoi të luante pa Malën, Krymin dhe Balajn, duke i ruajtur për ndeshjen e kampionatit me Elbasanin. Josa preferoi po ashtu rotacionin, por pa arritur te rezultati pozitiv.
Ndeshja nuk pati ritëm, ndërsa kuqeblutë u treguan të kujdesshëm. Vllaznia e ka fitoren e tetë radhazi, nëse përfshihen ndeshjet e kampionatit dhe Kupës. Shtatë prej tyre janë luajtur këtë vit ku Vllaznia e Martinit po tregohet perfekte.
Kjo pasi Pohls dhe Jukaj e kanë mbajtur portën e paprekur me ndihmën e pjesës tjetër të ekipit. Në shtatë fitoret e vitit 2026, bie në sy se vetëm një takim është fituar 2 me 0. Te pjesa tjetër ka mjaftuar rezultati minimal 1 me 0.






