Është hedhur shorti i turit të parë kualifikues të UEFA Conference League. Goglat kanë përcaktuar që Vllaznia të përballet me Malishevën e Kosovës. Ndeshja e parë do të luhet më 9-korrik në Shkodër, ndërsa sfida e kthimit më 16-korrik. Në fakt, këto dy ditë kanë qenë shumë intensive për Vllazninë, pasi përveç përgatitjeve që po bëhen për ndeshjet europiane, ka patur zhvillime të rëndësishme edhe në merkato. Kuqeblutë kanë siguruar shërbimet e mbrojtësit kroat 25-vjeçar Bruno Brajkoviç. Ky i fundit është zyrtarizuar nga klubi me një kontratë 1+1. Brajkoviç luan si mbrojtës i djathtë, por mund të aktivizohet edhe në krahun e majtë, duke i dhënë më shumë alternativa stafit teknik për sezonin e ri.

Ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar vendimin e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës lidhur me një detyrim financiar të prapambetur ndaj ish-futbollistit të Vllaznisë, Liridon Latifi. Klubi shkodran ka afat 30 ditë për të shlyer detyrimin dhe për të shmangur masa të tjera disiplinore nga organet kompetente. Nga ana tjetër, ish-mbrojtësi i kuqebluve, braziliani Andrey Yago, ka nisur zyrtarisht aventurën e re te Egnatia. Pas largimit nga Vllaznia, ai ka firmosur me kampionët e Shqipërisë dhe ka zhvilluar edhe stërvitjen e parë me skuadrën e re. Kështu, Vllaznia, pasi ka mësuar kundërshtarin në Europë, do të vijojë përforcimet, ndërsa nga ana tjetër duhet gjetur një zgjidhje e shpejtë për merkaton e bllokuar, në mënyrë që futbollistët e afruar të federohen dhe të jenë gati për turin e parë kualifikues të UEFA Conference League.

Artikulli paraprakDHUNOHET NJË ÇIFT BASHKËSHORTËSH NË FUSHË-ARRËZ
Artikulli tjetërPE RRËZOI AMENDAMENTIN PËR SAZANIN DHE ZVËRNECIN, RAMA: OSE ËSHTË ÇMENDUR DHE KORRUPTUAR EUROPA, OSE KA DIÇKA QË NUK SHKON ME ATA QË NISËM PROTESTËN