Vllaznia duket se nuk do ta mbyllë këtë merkato verore pa afrime të tjera. Shkodranët po punojnë për të afruar edhe dy ose tre futbollistë të tjerë. Kështu, drejtuesit e Vllaznisë po mendojnë për të sjellë një mbrojtës të majtë, një mesfushor me tipare sulmuese dhe një sulmues qendre për të qenë dublues i Bekim Balajt. Një emër nga ekipi i Erzenit, për mbrojtjen, që pothuajse është zyrtarizuar, është ai i Xhelil Asanit. Mbrojtësi shqiptaro-maqedonas, me gjasa, shumë shpejt do të bëhet pjesë e kuqebluve. Asani, sezonin e shkuar ishte një nga më të spikaturit në rradhët e Erzenit, pavarësisht se një dëmtim në fundin e kampionatit, e la për disa javë jashtë fushës së blertë.
Cilësitë që mbart 27-vjeçari duket se kanë bindur drejtuesit e Vllaznisë për një afrim të tij në Shkodër dhe tashmë është vetëm çështje orësh zyrtarizimi i Asanit si kuqeblu. Me afrimin e këtij të fundit, duket se marrin fund problemet për krahun e majtë të mbrojtjes, pasi shqiptaro-maqedonasi luan në atë pozicion. Ndërkohë, Vllaznia do të mbetet në merkato sërish për të afruar edhe dy futbollistë të tjerë, pikërisht një mesfushor me tipare sulmuese dhe një sulmues qendre për të qenë dublues i Bekim Balajt. Emri më i përfolur në dy ditët e fundit për një afrim të mundshëm tek Vllaznia ka qenë ai i Amir Kahrimanoviç.
Edhe mesfushori kroat ishte pjesë e Erzenit në kampionatin e kaluar, duke zhvilluar paraqitje surprizuese me shijakasit dhe duke qenë një nga futbollistët kryesorë të ekipit. Bisedimet mes tij dhe klubit kuqeblu janë të konfirmuara dhe tashmë mbetet vetëm të presim nëse në këto ditë do të jetë ai përforcimi i rradhës i Vllaznisë në këtë merkato apo jo. Ndërkohë Vllaznia më 6 gusht ka konfirmuar një tjetër ndeshje miqësore, këtë radhë përballë Teutës, sfidë që do të luhet në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës.