
Vllaznia ka arritur një fitore me rezultatin 2-1 përballë Elbasanit, në ndeshjen e fundit të javës së 24-t të “Abissnet Superiore”. Në “Loro Boriçi”, kuqeblutë diktuan ritmin e tyre dhe në pjesën e parë u shpërblyen me një gol të shënuar nga Balaj. Në pjesën e dytë, Elbasani arriti të vendosë barazpeshën 10-minuta para fundit me golin e Boye. Megjithatë, në shtesë erdhi goli i fitores për kuqeblutë me protagonist Dodajn, teksa rezultati përfundimtar i të gjithë takimit u mbyll 2-1 në favor të Vllaznisë. Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, u rregjistruan tensione në fushë, ku situata degradoi në përplasje fizike, pasi dy futbollistë të Vllaznisë u goditën. Poashtu, edhe tifozët e Elbasanit thyen stolat e dy tribunave të stadiumit “Loro Boriçi”, ku ata ishin të pozicionuar. Ndërkohë, pas ndeshjes, trajneri i Vllaznisë, Edi Martini theksoi se fitorja ndaj Elbasanit ishte e merituar.
Nga ana tjetër, trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, foli pas humbjes 2-1 ndaj Vllaznisë në transfertë, teksa tha se ata ishin më mirë se kuqeblutë në fushën e lojës.
Kevin Dodaj ishte heroi i Vllaznisë dhe u shpall “Lojtari i Ndeshjes” në triumfin 2-1 ndaj Elbasanit, teksa shënoi golin e fitores në sekondat e fundit të këtij dueli. Në fjalët e tij, ai ishte shumë i lumtur që i dha fitoren Vllaznisë.
Një fitore e rëndësishme kjo për Vllazninë përballë një rivali direkt si Elbasani, që sjell një distancë me ndjekësit, konkretisht 5-pikë larg Egnatias, me ekipin kuqeblu që kryeson renditjen në kuotën e 48-pikëve.






