
Vllaznia e ka mbyllur sezonin e rregullt me një fitore të pastër 2-0 ndaj Flamurtarit në “Loro Boriçi”, duke siguruar vendin e parë në renditje me 63 pikë. Skuadra shkodrane përfitoi edhe nga humbja e Elbasanit ndaj Tiranës, për të kryesuar e vetme klasifikimin në fund të fazës së rregullt. Golat për kuqeblutë u realizuan nga Ara në pjesën e parë dhe Murataj në të dytën, duke vulosur një sukses të merituar. Pas ndeshjes, trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, ishte i gëzuar për suksesin e skuadrës ndaj Flamurtarit, që i kthen ata në krye.
Andi Ribaj, i cili e mbylli këtë sezon si trajneri i Flamurtarit, deklaroi se javën e ardhshme do të vendoset fati i klubit vlonjat dhe shtoi se shpreson që Vllaznia të marrë atë që meriton.
Aris Ara, i cili u shpall “Lojtari i Ndeshjes”, pas fitores me Flamurtarin tha se ndihet shumë i lumtur për këtë sukses.
Vllaznia vijon tashmë garën për titullin kampion në “Final 4”, teksa ndeshjen e parë do ta luajë të shtunën në “Air Albania” ndaj Dinamos.






