
Vllaznia ka pësuar një tjetër goditje në shtëpi. Kuqeblutë u mposhtën me rezultatin 0-2 nga Bylisi, në një ndeshje ku shkodranët zhgënjyen në të gjitha repartet. Ballshiotët fituan në “Loro Boriçi”, falë golave të shënuar nga Martins dhe Stoilov. Në fakt, Vllaznia zhbllokoi ndeshjen me Balajn në pjesën e parë, por goli i kapitenit të shkodranëve u anullua pas verifikimit në VAR. Pjesa e parë u mbyll në barazim 0-0. Miqtë gjetën rrugën e rrjetës në pjesën e dytë me Martins, ndërsa në kohën shtesë Bylisi fitoi një penallti, që u kthye në gol nga Stoilov. Pas përfundimit të ndeshjes, skuadra e Vllaznisë u largua nga fusha mes thirrjeve “turp” nga një pjesë e tifozëve, por edhe duartrokitjeve nga të tjerë. Ndërkohë, pas ndeshjes, trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, i kërkoi falje tifozëve dhe u shpreh se janë shumë të zhgënjyer nga humbja me Bylisin.
Nga ana tjetër, trajneri i Bylisit, Mirel Josa u shfaq i kënaqur me fitoren në Shkodër, ndërsa i uroi Vllaznisë titullin kampion. Josa shtoi se Shkodra është qyteti që i ka dhënë kënaqësinë më të madhe.
Kështu, Vllaznia pëson një tjetër humbje në kampionat, por vazhdon që të qëndrojë në vendin e dytë me 60-pikë.
https://youtu.be/0f5Nx-EEQWo






