
Vjen humbja e parë për Vllazninë në miqësore. Ka ndodhur kështu pasditen e sotme, kur ajo ka pësuar disfatën e parë pikërisht ndaj inferiorëve të Kamzës, teksa në fund të 90 minutave të ndeshjes së luajtur në “Reshit Rusi” është fiksuar rezultati 2-4 për miqtë.
Një lojë zhgënjyese, që ka lënë të pakënaqur si stafin teknik, ashtu edhe tifozët, që në fakt kishin filluar të mendonin për një skuadër ndryshe, pas përforcimeve të fundit. Megjithatë, duket se problemet vazhdojnë sërish. Trajneri Cungu e ka nisur ndeshjen me portierin Agoviç, për të vazhduar me Gocaj, Cicmil, Vrapi e Marku, në mbrojtje. Ndërkohë, në mesfushë janë aktivizuar Bardulla, Krymi, Vecaj e Kruja, duke patur para tyre Hoxhën, ndërsa në majë të sulmit ka luajtur Dibra. Ndeshja ka filluar shumë mirë për miqtë, që shënojnë golin e parë që në minutën e 8-të, me anë të Rezit, por jo vetëm kaq. Pak minuta më vonë, do të ishte po Rezi, ai që do të shënonte golin e dytë dhe në minutën e 26-të Mehmetaj shënon edhe të tretin. Stafi i kuqebluve nuk e kupton çfarë po ndodh me skuadrën e tyre, e cila pëson shumë lehtë. Në minutën e 36-të, Vllaznia do të fitonte një 11-metërsh, që u kthye në gol nga Gocaj. Pjesa e parë u mbyll 3-1 për miqtë. Në të dytën, në formacionin e vendasve janë aktivizuar edhe Bicaj, Tafili, Hebaj, Pjeshka, Gurishta, Shtubina, Manuka, Pepa, Erkoçeviç e Dyca. Loja përmirësohet disi dhe 18-vjeçari Hebaj, në minutën e 71-të do të ngushtonte shifrat, por kjo nuk zgjat shumë, sepse 6 minuta më vonë Gjeçi do të shënonte golin e katërt dhe të fundit të ndeshjes. Kamza fiton në Shkodër duke treguar se ka ndërtuar një ekip vërtetë pretendent për t’u ngjitur në Superligë. Ndërkohë, Vllaznia edhe me Bicajn e Hoxhën në radhët e saj tregoi ende dobësi. Një skuadër që ka nevojë të konsolidohet, sepse nëse luan kështu, problemet për të do të jenë të mëdha.






