Tritoli i vendosur poshtë makinës të administratorit Vllaznia jo vetëm se nuk është një ngjarje e re por mbase edhe e pritshme.

Natyrshëm që është e rëndë ta thuash një gjë të tillë por kjo është e vërteta edhe pse tejet e hidhur. Sipas burimeve administratori Lici që nga momenti kur ka nisur punën tek Vllaznia dhe deri më sot ashtu si paraardhësit e tij ka marrë kërcënime të vazhdueshme edhe pse ka preferuar që t’i ndajë vetëm me miqtë e tij dhe të mos denoncojë në polici apo prokurori.

Ka raste kur edhe persona të ndryshëm i kanë shkuar poshtë shtëpisë të armatosur apo edhe duke i dërguar mesazhe kërcënuese dhe në këtë situatë vendosja e tritolit edhe pse tejet e rëndë duke parë çfarë ka ndodhur në Shkodër me Vllazninë është diçka që edhe mund të pritej.

Fakti që klubi Vllaznia drejtohet nga bashkia Shkodër duke mos patur një President siç kanë ekipet e tjera ka bërë që në Shkodër eksponentë të krimit të lidhur me lojtarë të ndryshëm të bëjnë presione e kërcënime për të futur tek Vllaznia lojtarë që nuk e meritojnë.

Pavarësisht kësaj nuk kanë qenë të pakta rastet kur këta futbollistë falë këtyre kërcënimeve e presioneve të drejtpërdrejta ia kanë dalë të qëndrojnë tek Vllaznia të pashqetësuar.

Edhe aktualisht Vllaznia ka lojtarë që nuk e meritojnë të jenë pjesë e ekipit ndërsa edhe merkatoja qoftë e verës por edhe tani e janarit është e dështuar sepse janë rreth 15 blerje një pjesë e të cilëve janë larguar ndërsa një pjesë tjetër qëndrojnë në stol dhe fjala bie ose pyetja që shtrohet është kush e mban përgjegjësinë?

Deri kur Vllaznia do vijojë kështu?. Në një kohë kur në Shkodër i vendoset tritol administratorit Lici, drejtori i Vllaznisë turku Engin Firat qëndron i qetë në Moldavi si trajner i kombëtares atje ose mund të jetë me pushime në Turqi si një meso burrë qejfli udhëtimesh duke drejtuar Vllazninë me rrjetin social viber përmes mesazheve në telefon pa qenë asnjëherë thuajse prezent në hallet dhe problemet që ka Vllaznia dhe duke sjellë lojtarë që kujtdo i lind e drejta të mendojnë për abuzime për sa kohë kanë një kosto më të madhe financiare dhe nuk bëjnë aspak diferencën me lojtarë të tjerë shkodran të larguar si të padëshiruar.

Superliga aktualisht ka afro 26 lojtarë shkodran që janë në ekipe të ndryshme, natyrshëm jo të gjithë mund të jenë të denjë për Vllazninë por një pjesë janë patjetër në një nivel më të mirë se sa ata që ngrohin stolin. Vendosja e tritolit është një akt kriminal që duhet dënuar dhe që nuk ka asnjë lloj justifikimi por patjetër që është koha që klubi Vllaznia jo vetëm të privatizohet por edhe të pastrohet një herë e mirë nga kushdo që përfiton mbi kurrizin e saj siç ka ndodhur prej 8-9 vitesh dhe ndodh edhe aktualisht me ose pa dashje.

Nëse Vllaznia nuk merr drejtimin e duhur atëherë tritoli, armët dhe kërcënimet do jenë gjithnjë prezente. Kryetarja e bashkisë Voltana Ademi si drejtuese bashkë me këshillin bashkiak që posedon 100% të aksioneve dhe drejtuesit e Vllaznisë duhet të zgjohen dhe ta heqin një herë e mirë këtë barrë që kanë mbi supet e tyre.

Vllaznia është shfrytëzuar maksimalisht politikisht, është shfrytëzuar maksimalisht për vende pune, është shfrytëzuar maksimalisht për të paaftët por edhe nga kriminelët, shfrytëzime këto që i nxinë edhe historinë në 100-vjetorin e saj duke e hedhur në Kategorinë e Parë.

Askush nuk beson se dikush duhet të humb jetën që Vllaznia të marrë rrjedhën e duhur.