Agjencia e Prokurorit Publik ka bërë të ditur se kur do të hapen ofertat për ankandin e shitjes së aksioneve të KF Vllaznia nga bashkia Shkodër e cila momentalisht është zotëruese 100% e aksioneve të Vllaznia sh.a Në këtë mënyrë sipas njoftimit të faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimeve 9 marsi I këtij viti do të jetë data kur do të hapet zyrtarisht ankandi.

Në atë datë të gjithë blerësit e interesuar për të privatizuar Vllaznia sh.a do të duhet që të dorëzojnë dokumentet përkatëse të cilat kërkohen që janë formulari i njoftimit, kërkesa për pjesëmarrje, formulari i ofertës, ftesa për ofertë, formulari njoftimit të fituesit, formulari i publikimit të njoftimit të fituesit dhe procesverbalet e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Sipas njoftimit në faqen e Agjencisë së Prokurimeve, vlera fillestare për shitjen e aksioneve të vllaznia sh.a ashtu siç është thënë më përpara do të jetë 507 milion lekë të vjetër. Ndërkohë përmes një urdhri të kryetares së bashkisë Shkodër është caktuar edhe Njësia e Ankandit që përbëhet nga kryetar Ardit Çylybyli nënkryetar i bashkisë Shkodër, Vinifreda Gazulli përgjegjëse e sportit në bashkinë Shkodër, Manjola Fushaxhija si dhe do të jenë edhe dy përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit Aldi Topçiu dhe Kristaq Ndini.

Në këtë mënyrë tashmë edhe zyrtarisht i hapet drita jeshile procesit të privatizimit të Vllaznia sh.a i shumëpërfolur vitet e fundit. Vllaznia për 7-8 vite luftoi për mbijetesë ndërsa në 100-vjetorin e saj ra nga Superliga, vetëm si shkak i mungesës së privatizimit dhe një menaxhimi jo të duhur nga ana e bashkisë Shkodër. Këtë vit klub kuqeblu ka një paraqitje tjetër duke qenë kryesues i kampionatit.

Procesi i privatizimit të Vllaznia sh.a pritet që të zgjidh njëherë e mirë situatën tek ky klub. Ndërkohë edhe interesi i blerësve pritet që të jetë i lartë për privatizimin e Vllaznisë ndërsa duhet pritur nëse ky proces do të mbyllet në kohën e duhur dhe brenda afateve ligjore.