
Pas sukseset në kampionatet e 16 dhe 18 vjeçarëve ku zuri vendin e parë dhe u shpall kampion, Vllaznia në atletikë këtë të mërkurë është shpallur edhe fituese e Kupës së Shqipërisë me të rriturit.
Ky është verdikti i garave të zhvilluara në Elbasan, në përfundim të të cilave ekipi shkodran me mbi 200 pikë të grumbulluara, ka merituar vendin e parë, i shkëputur në renditje nga Tirana e vendit të dytë.
Një paraqitje shumë e mirë e atletëve kuqeblu të cilët ndonëse pa praninë e dy prej sportistëve më të mirë të saj në këto gara, pikërisht të Izmir Smajlajt dhe Ergys Gjeçajt që po stërviten në Spanjë, sërish arritën sukses nga ku ka spikatur mbi të gjithë atleti Franko Burraj.
Kampioni në fuqi i vendit në garën e 400 metrave, edhe kësaj rradhe ka bërë një paraqitje fantastike në këtë disiplinë. Me kohën 47’89”, ai jo vetëm ka zënë vendin e parë por i është ofruar me një sekondë rekordit kombëtar që mbahet nga shkodrani i mirënjohur Ilir Xhani prej 15 vitesh.
Paraqitjet e fundit të Burrajt janë mbresëlënëse dhe me siguri që shumë shpejt ai do të arrijë ta thyejë këtë rekord. Po ky sportist ka zënë vendin e parë edhe në garën e 200 metrave. Njëkohësisht Franko Burraj është shpallur edhe sportisti më i mirë i Kupës në fund të aktivitetit nisur nga pikët olimpike të grumbulluara.
Ekipi i Vllaznisë ka marrë edhe çmime të tjera të para apo të dyta në disiplina të tjera sa i përket këtij kompeticioni që u zhvillua. Ndërkohë në garat e femrave për t’u veçuar është sportistja Erisa Rrasa e cila si në trehapësh ashtu edhe në kërcim së gjati, ka zënë vendin e dytë ndonëse është vetëm 15 vjeç dhe ka konkurruar me të rriturat.
Kështu mbyllet edhe një tjetër aktivitet në mënyrë të suksesshme për ekipin e Vllaznisë. Kjo falë rezultateve të arritura nga atletët dhe punës së shkëlqyer të trajnerëve Vildan Tufi, Albert Marashi, Fatjon Serhati, Bruno Rrotani dhe Dorian Tafa.


