Një tjetër trofe për ekipin e Vllaznisë në futboll për femra ka arritur të bëjë “pronë” të vetën trofeun e Kupës së Shqipërisë për sezonin 2015-16.

Ka ndodhur kështu pasi ka mundur në finale ekipin e Kinostudios me rezultatin e thellë 6-0. Një ndeshje e. zhvilluar në fushën e kompleksit “Olimpic” në Yrshek të Tiranës dhe që është ndjekur nga një numër i konsiderueshëm tifozësh të ardhur nga Shkodra. Duket se ata e kishin parandjerë fitoren e kësaj kupe dhe prandaj kishin ardhur me fishekzjarre me vete dhe me një festë të përgatitur që përpara. Në fakt edhe takimi final këtë gjë tregoi. Ambra Gjergji do të shënonte që në minutën e 6-të të ndeshjes ndërkohë që më pas do të ishte kapitenia Uendi Muja që do të shënonte në minutat 14’ dhe 38-të dy herë. Për të mbyllur pjesën e parë do të mendonte mbrojtësja Luçije Gjini që do të shënonte edhe golin e katërt në minutën e 43-të. Me rezultatin 4-0 do të mbyllej 45 minutëshi i parë që vërtetoi më së miri diferencat në fushë në mes dy ekipeve. Në pjesën e dytë do të ishte Megi Doçi që do të shënonte edhe dy gola të tjerë duke bërë që rezultati përfundimtar i takimit të ishte 6-0 në favor të Vllaznisë që kësisoj do të shpallej fituese e Kupës së Shqipërisë për këtë sezon. Kupën kapitenes Muja do t’ia dorëzonte anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, z. Vasil Bici. Në këtë mënyrë ekipi shkodran fiton të tretën kupë rradhazi dhe pret që pas dy muajsh të kurorëzohet edhe kampione e vendit për të tretin vit rradhazi duke shfaqur dominimin e tij absolut në futbollin shqiptar të femrave.