Vllaznia është në një dilemë të madhe për emrin e trajnerin të ri por edhe për krejt situatën aktuale në klub.

Pas deklaratës së një ditë më parë të drejtorit sportive Armir Grima se ky i fundit nuk ka informacion për Vllazninë që në muajin mars apo se sipas tij as kryetarja e bashkisë Voltana Ademi nuk ka informacion dhe se askush nuk e ka thirrur në takim, bashkia Shkodër nuk ka bërë asnjë reagim. Shihet qartë tashmë se mes drejtuesve të Vllaznisë dhe bashkisë Shkodër ka një ftohje dhe një mosrakordim institucional. Kjo lloj ndasie ka krijuar jo pak kaso në mbarëvajtjen e klubit. Në vijim të këtyre problemeve pak ditë më parë u zhvillua një mbledhje e bordit por që u la në gjysëm sepse pritej që të ishte edhe kryebashkiakja Ademi. Është lënë që të vijohet ajo mbledhje me një tjetër takim këto ditë por deri tani ende nuk është zhvilluar. 

VLLAZNIA, SITUATA PEZULL EDHE PËR TRAJNERIN E RI

Kjo situatë ka lënë pezull gjithçka. Bordi ka kërkuar një shumë prej 380 milion lekësh të vjetra dhe ky propozim pret miratimin ose jo të paktën parimisht nga kryebashkiakja dhe më pas patjetër edhe këshilli bashkiak. Të gjendur në këtë situatë një tjetër problem jo i vogël është çështja e trajnerit të ri. Administratori Neritan Kalamishi, nga burime pranë klub bëhet e ditur se nuk pranon që ta emërojë ai teknikun e ri të kuqebluve duke parë gjendjen ku ndodhet ekipi me 5 humbje radhazi në kampionat. Nëse administrator nuk e merr përsipër atëherë pyetja që shtrohet është se kush do ta bëjë propozimin për trajnerin e ri dhe se kush do ta ketë vendimarrjen. Mbase kjo përgjegjësi i bet bordit por do rezultojë e lehtë sepse përtej emrave që përfliten apo vetëofrimeve deri tani nuk ka asnjë propozim. Të gjitha këto çështje presin një zgjidhje në mënyrë që Vllaznia të futet në shina dhe të provojë daljen nga kriza historike tashmë me 5 humbje radhazi në kampionat.