Ekipi i Vllaznisë është duke vazhduar përgatitjet në Ulqin, për të qenë gati për pjesën e mbetur të Superiores. Nga sa bëhet me dije ekipi i Ernest Gjokës është duke u stërvitur në mënyrë intensive me dy seanca stërvitore në ditë, duke bërë që futbollistët të marrin ngarkesë maksimale. Stafi i ekipit i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë përshtatjes së Xhevahir Sukajt dhe mbrojtësit Sedat Berisha, me pjesën tjetër të ekipit duke qënë se janë dy afrimet e reja në skuadrën kuqeblu.

Ndërkohë nga ana tjetër, pavarësisht përgatitjeve në nivele të larta, Vllaznia ende nuk e ka njohur kundërshtarin e parë, për të zhvilluar ndonjë ndeshje miqësore dhe kjo do të jetë një çështje e vështirë për t’u zgjidhur, pasi ekipet në Malin e Zi e nisin kampionatin në datën 15 janar. praktikisht i bie që mbase nga java tjetër Vllaznia do të mund të gjejë ndonjë skuadër për të realizuar një miqësore dhe për të parë gjendjen e skuadrës shkodrane.

Më herët është menduar edhe alternativa e zhvillimi të një tjetër miqësoreje me Vllanzia B por kjo mbetet për tu parë në ditët në vazhdim dhe nëse vetë ekipi i parë nuk do mundet të gjejë ndonjë skuadër tjetër. Siç duket, Vllaznia po vuan po të njëjtin problem si vitin e kaluar kur në fazën përgatitore dimërore, skuadra e drejtuar në atë kohë nga ish-trajneri Armando Cungu nuk gjeti asnjë ekip për të luajtur ndeshje miqësore.