
Vllaznia vijon që të jetë skuadra në të cilën vijnë shumë futbollistë në provë por shumë pak prej tyre arrijnë të bindin trajnerin Armando Cungu.
Tashmë në provë ka mbërritur kapiteni i Zetës mesfushori me tipare sulmuese Darko Markoviç. Është pikërisht një pozicion për të cilin Vllaznia ka nevojë për përforcim. Pavarësisht karrierës së Markoviç, ai që do të vendosë do të jetë tekniku Cungu duke patur parasysh gjendjen aktuale të këtij lojtari dhe jo se çfarë ka bërë më përpara. Po ashtu në provë ka mbërritur një tjetër portier. Nikola Delibashiç do të mundohet që të të fitojë besimin e trajnerit të portierëve Avenir Dani dhe pjesës tjetër të stafit tenik. Në provë vijon të jetë edhe Agoviç i cili ka marrë vlerësime pozitive. Edhe pse Vllaznia ka në përbërje dy portier si Selimaj dhe i riu me të ardhmen Alen Sherri që edhe ka patur kërkesa nga jashtë duket se për stafin teknik janë të pamjaftueshëm. Në ditët në vijim pritet që të vendoset përfundimisht se kush do të jetë gardiani ri i ri i Vllaznisë, Agoviç apo Delibashiç. Klubi Vllaznia përveç lojtarëve të ardhur në provë ka nisur kontakte edhe me dy lojtar të Superligës. Bëhet fjalë për dy mbrojtësit Entonio Pashaj dhe Marko Vidoviç. Ardhja e këtyre futbollistëve nëse arrihen marrëveshjet do të bënte që kuqeblutë të blindonin përfundimisht repartin e mbrojtjes. Në të njëjtën kohë vijon provën sulmuesi serb Rakiç i cili po bën paraqitje pozitive dhe me shumë mundësi mund të firmosë një kontratë me Vllazninë për sezonin e ardhshëm. Pjesa tjetër vijojnë të jenë në provë duke pritur nëse ndonjë prej tyre do të bind trajnerin Armando Cungu.






