
Kriza e Vllaznisë në volejboll për femra duket se nuk ka fund. Ekipi shkodran ka pësuar një tjetër humbje, këtë herë përballë Lushnjës në fushën e tij, duke regjistruar kështu disfatën e pestë radhazi në kampionat. Një situatë gjithnjë e më shqetësuese për skuadrën kuqeblu, e cila vazhdon të mbajë vendin e fundit në renditje me zero pikë të grumbulluara. Përballja me Lushnjën konsiderohej mjaft e rëndësishme, pasi të dyja skuadrat vinin në këtë takim pa asnjë fitore në kampionat. Vllaznia e nisi mirë ndeshjen dhe arriti të fitojë setin e parë me rezultatin 25-18, duke krijuar përshtypjen se mund ta kishte të lehtë përballjen. Por Lushnja reagoi, rriti ndjeshëm nivelin e lojës dhe fitoi setin e dytë 25-23, duke barazuar shifrat në 1-1. Miqtë vazhduan të ishin më të sigurta edhe në setin e tretë, të cilin e fituan 25-19, duke kaluar në avantazh.
Seti i katërt ishte më i luftuar, por në momentet vendimtare ishte sërish Lushnja që tregoi më shumë qetësi dhe arriti ta fitonte 26-24, duke mbyllur gjithë takimin me rezultatin 3-1. Kështu, skuadra lushnjare siguroi tri pikët e para të sezonit, ndërsa Vllaznia mbeti sërish duarbosh. Ndërkohë, pas ndeshjes, trajnerja e Lushnjës, Erilda Allkanjari, është shprehur e kënaqur për fitoren e parë të skuadrës së saj.
Kjo humbje duhet të shërbejë si një kambanë alarmi për drejtuesit dhe të gjithë ata që kanë përgjegjësi në këtë ekip. As afrimi i fundit nga merkatoja, volejbollistja kanadeze Jordan Vang, nuk ka arritur të sjellë ndryshimin e pritur në paraqitjen e skuadrës. Shifrat e pesë javëve të para janë vërtet alarmante: vetëm një set i fituar dhe plot 15 të humbur. Një bilanc shumë i dobët për një skuadër që ndoshta nuk ka pretendime për kreun e renditjes, por që minimalisht duhet të luftojë për të mos mbetur në fund dhe për të siguruar vazhdimësinë në kategorinë ku militon.


