
Ekipi i Vllaznisë është nisur herët mëngjesin e së martës drejt Islandës, me misionin e qartë për t’u kualifikuar në turin e tretë të “UEFA Conference League”. Kuqeblutë kanë lënë Shkodrën shumë herët dhe në orën 09:15 nga Rinasi kanë marrë fluturimin e parë drejt Milanos dhe më pas nga aty drejt Reykjavik, ku do të mbërrijnë në orët e pasdites. Në fakt, kuptohet që udhëtimi është i gjatë dhe i lodhshëm, por kjo nuk do të thotë se ndryshon gjë në objektivin e Vllaznisë. Me skuadrën kanë udhëtuar edhe dy ganezët Charles dhe Mensah, të cilët janë pajisur me vizat hyrëse në Islandë dhe do të jenë të gatshëm për të luajtur në këtë takim.
Realisht, kuptohet që fitorja me rezultatin 2-1 në ndeshjen e parë të luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” i bën pjesëtarët e Vllaznisë optimistë për kalimin e turit, por nga ana tjetër ata janë të vetëdijshëm se në Reykjavik i pret një 90-minutësh i zjarrtë ndaj Vikingurit, që do të bëjë çmos për të fituar. Trajneri Martini dhe skuadra janë të përgatitur për këtë gjë dhe ashtu si në Shkodër, do të tentojnë të tregojnë vlerat e tyre më të mira për të marrë rezultatin e duhur dhe për të shkuar më tej në këtë kompeticion.






