Vllaznia gradualisht po i afrohet fillimit të kampionatit dhe ndërkohë stafi teknik me në krye trajnerin Edi Martini po i jep dorën e fundit përgatitjeve, shoqëruar edhe me luajtjen e disa ndeshjeve miqësore. Kështu, deri më tani kanë luajtur dy të tilla dhe kanë në plan të luajë edhe një të fundit në fundjavë. Të shtunën e kaluar, kuqeblutë e formacionit të dytë luajtën në Laç ndaj skuadrës vendase dhe u mposhtën me rezultatin 2-1, ndërsa të martën Vllaznia fitoi 4-3 në stadiumin “Loro Boriçi” ndaj ekipit të Kukësit. Stafi teknik i skuadrës shkodrane dhe veçanërisht trajneri Edi Martini mesa duket ka pëlqyer përballje me skuadra të Kategorisë së Parë në këtë prag-sezoni. Kjo sepse edhe miqësoren e tretë do ta luajë ditën e shtunë po me një skuadër të kësaj Kategorie dhe bëhet fjalë për Besën e Kavajës. Takimi është planifikuar të luhet të shtunën në orën 19:00, po në stadiumin “Loro Boriçi”. Ky do të jetë testi i fundit për skuadrën, sepse më pas ajo do të nisë përgatitjet për ndeshjen e javës tjetër ndaj Egnatias, e cila do të hapë edhe kampionatin e ri kombëtar të futbollit për sezonin 2025-2026. Ndërkohë, nga ana tjetër, mesfushori Tom Saettel nuk e ka kaluar provën te Vllaznia. Si rrjedhojë, është larguar nga skuadra kuqeblu. Ai u aktivizua në dy miqësoret ndaj Laçit dhe Kukësit nga trajneri Edi Martini, por mesa duket nuk ka dhënë atë që stafi shkodran priste. Tashmë, duket se në bashkëpunim me pjesën tjetër të stafit teknik, është vendosur që ai të mos qëndrojë më tek kuqeblutë. Saettel, 20-vjeç, ishte për herë të fundit pjesë e Strasburg B në ligën e pestë franceze. Mesfushori 20-vjeçar ka luajtur me ekipin U-17 dhe U-18 të Francës. Gjatë kësaj kohe ka ndarë fushën edhe me yllin e ri të PSG-së, Desire Doue. Megjithatë, trajneri Edi Martini e ka dhënë verdiktin për këtë futbollist dhe si rrjedhojë, ai duhet të kthehet andej nga kishte ardhur. Mesfushori është larguar drejt Francës, teksa trajneri Edi Martini e ka parë të arsyeshme që ai të mos zhvillojë më asnjë seancë stërvitore me skuadrën kuqeblu, pasi është e kotë. Në këto kushte, merkatoja e Vllaznisë mbetet e hapur.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakSEZONI TURISTIK RRIT URGJENCAT NË LEZHË
Artikulli tjetërDY VATRA ZJARRI NË MIRDITË, PËR SHKAK TË ERËS FLAKËT PO MARRIN PËRMASA TË MËDHA