Vllaznia nuk është më skuadra e pathyeshme. Kuqeblutë kanë bërë një hap fals brenda në shtëpi duke humbur ndaj ekipit të Laçit në shifrat 1-2. Laçianët morën një fitore ndaj një Vllaznia e cila edhe në këtë përballje shfaqi shenja lodhje duke qenë larg atij futbolli që ka shfaqur deri më tani. Tashmë edhe diferenca në krye të klasifikimit është ngushtuar duke bërë që laçianët me këtë fitore në një përballje direkte të afrohen me 7 pikë ndaj ekipit shkodran ndërsa me këtë disfatë të kuqebluve përfitojnë edhe ekipet e tjera pretendente që janë pas Vllaznisë në renditje.

Pjesa e parë nis më mirë për ekipin e Brdariç por pas 20 minutave të para është Laçi që normalizon lojën. Në 45 minutat e para skuadrat nuk arrijnë që të shënojnë. Në pjesën e dytë Laçi shfaq një lloj dominimi që përkthehet edhe me gola. Shkodranët gabojnë në mbrojtje dhe aty përfiton sulmi i ekipit mik. Naubeze shfaqet i vetëm me portierin e Vllaznisë dhe godet saktësisht duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij në minutën e 59’.

Gëzimi i Laçit nuk zgjat shumë sepse Arsid Kruja provon me një goditje që fillimisht ndalet nga shtylla pingule dhe më pas përfundon në këmbët e Demir Imerit i cili me portën e boshatisur barazon në 1-1 shifrat në minutën e 66’ duke rikthyer shpresën tek shkodranët për një fitore. Në fakt nuk ndodh kështu sepse Laçi luan më mirë dhe shfrytëzon një tjetër gabim në mbrojtjen e kuqebluve që kthehet në gol nga Van Dave i sapo futur në lojë.

Portieri shkodran i Laçit jep një top të gabuar për Imerin i cili avancon në hapësirën e krijuar por Obanor bën një ndërhyrje të gabuar duke shpëtuar portën e tij nga goli por duke u ndëshkuar me karton të kuq. Hoxha provon nga goditja e dënimit në minutën e 77’ por nuk tregohet i saktë.

Edhe pse Laçi luan për 17 minuta bashkë me kohën shtesë me 10 lojtarë arrin që të ruaj avantazhin dhe ta fitojë këtë përballje të rëndësishme duke ulur me këmbë në tokë Vllazninë kryesuese e cila deri më tani ka surprizuar të gjithë por tashmë vështirësia e kampionatit dhe lodhja e lojtarëve po tregon se shkodranët nuk e kanë aspak të lehtë.

Artikulli paraprakKREU I KESH: 30.7 KM TË RRUGËS VAU I DEJËS-KOMAN DO TË RIKONSTRUKTOHEN, TË HËNËN GARA PËR KOMPANINË ZBATUESE TË PROJEKTIT
Artikulli tjetërNËNSHKODËR, 3650 HEKTARË TOKË E PËRMBYTUR