Vllaznia dhe Teuta e kanë mbyllur në barazim pa gola sfidën mes tyre të luajtur në stadiumin “Loro Boriçi”. Shkodranët nuk arritën të marrin një trepikësh në përballjen me një prej rivalëve direkt për titullin kampion duke mos shfrytëzuar kështu një mundësi të mirë.

Vllaznia pas këtij barazimi është 3 pikë larg vendit të parë që mbahet nga Partizani ndërsa Teuta qëndron vetëm një pikë nga kryesuesit.

Në përballjen ndaj Teutës, sulmuesit e Vllaznisë nuk shfrytëzuan rastet e paraqitura ndërsa në pjesën e dytë edhe durrsakët humbën disa mundësi të mira. Pas ndeshjes trajneri i Vllaznisë Thomas Brdariç shprehet krenar për ekipin që drejton.

Trajneri i Teutës, shkodrani Edi Martini thotë se barazimi ishte rezultati më i drejtë.
Dy trajnerët nuk nguruan të shkëmbejnë batutat lidhur me premtimin e Brdariç për t’i dhënë një gotë verë të bardhë trajnerit Martini.

Tashmë kanë mbetur edhe 5 ndeshje për t’u luajtur ndërsa Vllaznia do vijojë pretendimet e saj për trofeun ose të paktën daljen në Kupat e Europës.