Tek Vllaznia nuk ka qetësi. Kur u duk se situata u normalizua vjen një gjobë ndaj trajnerit të Vllaznisë Thomas Brdariç dhe gjithë skuadrës të vendosura nga kryetarja e bashkisë Voltana Ademi. Në të njëjtën ditë kur Vllaznia u kualifikua në ndeshjen e Kupës ndaj Korabit duke fituar 1-0, është firmosur shkresa e gjobës nga kryebashkiakja Ademi për trajnerin Brdariç.

Tekniku i kuqebluve që i shpëtoi shkarkimit nga presioni i tifozëve dhe lojtarëve nuk e ka kaluar aq lehtë pasi është gjobitur me 1 milion e 500 mijë lekë të vjetër nga kryebashkiakja Ademi.

Kjo gjobë sipas shkresës ka ardhur për shkak të rezultateteve të dobta në ndeshjen e kampionatit. Në këtë mënyrë duke qenë se ekipi sipas drejtuesve nuk ka përmbushur objektivat në 7-8 javët e fundit atëherë është menduar që të gjithë të ndëshkohen me gjobë duke nisur nga trajneri Brdariç dhe më pas edhe gjithë lojtarët.

Në fakt kjo gjobë mund të duket normale duke qenë se skuadra nuk ka arritur rezultatet e pritshme duke e humbur vendin e parë por duket e pakuptimtë në një kohë kur trajnerin dhe lojtarët kanë ndenjur për një kohë të gjatë pa marrë pagat e tyre, gjë e cila mund të ketë ndikuar edhe në rezultate dhe lojën e zhvilluar.

Gjithsesi tashmë situata nuk është aspak e mirë në radhët e kuqebluve pas kësaj gjobe të vendosur aq më tepër në prag të një ndeshje të rëndësishme siç është transferta me Kastriotin dhe dy takimet e mëpasshme me Laçin dhe Partizanin.

Në shkresën për trajnerin Brdariç thuhet se në rast se skuadra arrin rezultate pozitive në këto tri përballje të rëndësishme në kampionat atëherë gjoba mund të mos aplikohet. Ndërkohë klubi Vllaznia bën të ditur në rrugë zyrtare përmes një njoftimi se me masë administrative janë ndëshkuar edhe disa prej lojtarëve të cilët sipas klubit kanë potencial për të patur një performancë ndryshe në fushën e lojës.

Në fakt tek Vllaznia prej të paktën 9 vitesh nuk janë aplikuar asnjëherë gjobat edhe kur skuadra u rrëzua nga Superliga. Ky vendim për t’i gjobitur nuk ka lënë një shije të mirë ndërsa duhet pritur nëse ekipi do të dijë të reagojë që në përballjen e radhës që është me Kastriotin këtë javë.